Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla u arrestua dy ditë më parë me urdhër të SPAK. Gazetarja Klodiana Lala teksa ka dhënë detaje lidhur me arrestimin e tij, tha se në banesën e Lefter Allës janë kryer kontrolle.
“Kryetari i Bashkisë së Bulqizës është arrestuar mbrëmjen e kaluar me urdhër të SPAK. Krahas caktimit të masës së sigurisë është urdhëruar edhe kontrolli i banesës. Lefter Alla thotë SPAK ka kryer shkelje të barazisë në tendera. Sikurse ndodhi me rastin e Alqi Bllakos e njëjta situata ka ndodhur edhe me kryetarin e bashkisë së Bulqizë, pasi për disa orë me radhë nuk kanë dhënë një konfirmim dhe kanë dhënë reagime të paqarta. Gjithashtu janë kryer kontrolle në banesë edhe për zyrtarët e tjerë të arrestuar”,raportoi gazetarja Klodiana Lala, duke shtuar: “Për orë me radhë nga SPAK dhe policia nuk u konfirmua arrestimi dhe pati heshtje për disa orë me radhë lidhur me realizimin dhe finalizimin e këtij operacioni”, tha ajo.
“Në analizë të veprimeve hetimore të kryera deri në këtë moment, ekziston dyshimi i arsyeshëm i bazuar në prova se shtetasit nën hetim Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja, Aqif Konesha në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal, shtetasit L. A. dhe E. Ll. në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorim detyre” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, shtetasit R. D., A. K., A. N., D. G. në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal, ndërsa shtetasi K. I. ka konsumuar veprën penale “Falsifikim i formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i K.Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Emrat e të arrestuarve me urdhër të SPAK
Lefter Alla, kryetari i Bashkisë së Bulqizës
Enkeleda Lleshi, nënkryetarja e Bashkisë
Rubin Kola,
Erion Isaku,
Leonard Daci,
Arseb Gjoka,
Kujtim Zogu,
Denis Xholi,
Rasim Daci,
Dalo Gazidedja,
Aqif Konesha
Kastriot Ibrahimaj (arrest shtëpie)
Ana Nishku (arrest shtëpie)


