Katër punonjës të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Patundshme në Korçë dhe një person tjetër që kryente rolin e sekserit kanë përfunduar në pranga për korrupsion.

Të arrestuarit akuzohen se kanë falsifikuar dokumentacionin për pajisjen e qytetarëve me certifikata pronësie. Në pranga kanë përfunduar ish-drejtori i Hipotekës, Leftjon Bardho, Ersild Gorari, çifti i bashkëshortëve Arsidesa Hysi dhe Erjon Arif si edhe Andrea Zallëmi. Këta persona janë ndaluar nga Policia e Korçës pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për caktimin e masës “arrest me burg”.
Ish-drejtori i Hipotekës, Leftjon Bardho, regjistruesja Arsidesa Hysi dhe bashkëshorti i saj, Erion Arif, i cili ka punuar më parë në Hipotekë si edhe Ersild Gorari po ish-punonjës i Hipotekës dyshohet se në bashkëpunim me 65-vjeçarin Andrea Zallëmi kanë ndërhyrë në dokumentet e pronësisë, duke përfituar nga detyra dhe në këmbim kanë marrë shuma të konsiderueshme parash. Arsiedesa Hysi përveçse regjistruese në Hipotekën e Korçë mban edhe pozicionin e anëtares së Këshillit të Bashkisë Korçë si përfaqësuese e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“Specialistët e Seksionit për Krimin Ekonomik Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, bënë ekzekutimin e urdhrit të Prokurorisë, për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për ndalimin e shtetasve: L.B, 33 vjeç, banues në Korçë, (me detyrë ish-Drejtor në ZVRPP Korçë). E.G, 34 vjeç, banues në fshatin Barç, (ish-punonjës në ZVRPP Korçë) A. H, 28 vjeçe, banuese në Korçë, (me detyrë regjistruese në ZVRPP Korçë), E. A, 36 vjeç, banues në Korçë,(ish-punonjës në ZVRPP Korçë) dhe A. Z, 65 vjeç, banues në Korçë.

Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Korçë, me vendim datë 05.12.2018, ka vendosur për këta shtetas, masën e sigurisë “Arrest me burg” pasi në bashkëpunim me njëritjetrin, dyshohet se iu kanë marrë qytetarëve sasi lekësh, duke u përpiluar dokumente fiktive për regjistrim pasurish, të cilat rezultonin me probleme në përfitimin e certifikatës së pronësisë”, bëhet e ditur nga Policia. Tashmë, do të jetë Prokuroria e Korçës ajo që do të kryejë hetimet e mëtejshme për dërgimin e dosjes në Gjykatën e Shkallës së Parë Korçë.


