Drejtoria e Burgjeve ka reaguar në lidhje me rastin e nënës 34-vjeçare dhe foshnjës së saj që ndodhen në burgun e Pojskë.
Sipas njoftimit, për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale, sqarojnë më tej. 34-vjeçarja do duhet të qëndrojë për dy muaj në qeli, pasi është dënuar për dhunën e ushtruar ndaj vjehrrit të saj.
Reagimi i plotë:
Në zbatim të legjislacionit në fuqi, që garanton mbrojtjen e të drejtave të nënave të privuara nga liria dhe interesin më të mirë të fëmijës, në IEVP Pojskë është akomoduar e dënuara me inicialet D. S., e dënuar me 2 (dy) muaj burgim, së bashku me foshnjën e saj 11-muajshe. Gjatë procedurave të pranimit në institucion, shtetasja me inicialet D. S. ushtroi të drejtën e parashikuar nga Ligji nr. 81/2020 “Për të Drejtat dhe Trajtimin e të Dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve” dhe Rregullorja e Përgjithshme e Burgjeve, për të mbajtur pranë saj fëmijën nën moshën 3 vjeç.
Pas përfundimit të procedurave ligjore dhe administrimit të dokumentacionit përkatës, foshnja u akomodua në ambientet e posaçme të institucionit, jashtë regjimit të brendshëm, ambiente të përshtatura për qëndrimin e nënave me fëmijët e tyre”, njoftojnë Burgjet. Për nënën dhe fëmijën është hartuar një plan i individualizuar përkujdesjeje, i cili përfshin masat e sigurisë, kujdesin shëndetësor, ushqimin sipas nevojave, si dhe mbështetjen psikologjike dhe sociale.
Zbatimi i këtij plani monitorohet nga stafi multidisiplinar i institucionit, me synimin për të garantuar mirëqenien e nënës dhe të fëmijës, si dhe respektimin e të drejtave të tyre, në përputhje me legjislacionin dhe standardet në fuqi.


