Gjatë vizitës në spitalin e Lushnjes, ku vijoi sot fushata “Gjak i sigurtë për të gjithë”, Manastirliu bëri apel për dhurimin vullnetar të gjakut, në ndihmë të fëmijëve talasemikë Ministrja Manastirliu vizitoi Bankën e Gjakut në spitalin e Lushnjes, ku vijoi sot fushata “Gjak i sigurtë për të gjithë”, në ndihmë të fëmijëve talasemikë. “Nga Lushnja ku nevojat për gjak janë të mëdha për talasemikët, dua të apeloj për dhurimin vullnetar të gjakut, për të kontribuar në plotësimin e nevojave me gjak në këtë periudhë të vitit. Ne jemi shumë të angazhuar që të krijojmë rrjetin e dhuruesve të gjakut,”, tha Manastirliu.
Manastirliu tha se është rritur numri i dhuruesve të gjakut duke plotësuar nevojat në vazhdim për gjak.
“Vetëm në këto 5 muaj janë 280 flakonë më shumë se në vitin 2018. Është rritur numri i dhuruesve të gjakut, që do të thotë ka filluar të plotësohen nevojat në vazhdim për të gjitha ato proceset e transfuzionit të gjakut që kryhen në këtë spital” – tha ministrja. Që prej fillimit të fushatës së gjakut, janë 1527 dhurime vullnetare në të gjithë vendin. Fushata vijon deri në 14 Qershor, në Ditën Botërore të Dhurimit Vullnetar.


