Një operacion i madh i koordinuar nga Antidroga dhe Antimafia Italiane ka çuar në shkatërrimin e një grupi të fuqishëm narkotrafikantësh shqiptarë, të cilët kishin bazë në qytetet italiane Milano, Pavia, Monza dhe Modena.
Grupi, që operonte prej muajsh, ishte përgjegjës për trafikun e kokainës me vlerë tregu prej 5 milionë eurosh brenda një periudhe 6-mujore.
Në kuadër të hetimeve, Prokuroria e Milanos ka lëshuar 8 urdhra ndalimi dhe 5 urdhra arrestimi me burg, 2 arrestime shtëpiake dhe 1 urdhër me detyrim paraqitje. Hetimet kanë zbuluar se grupi kishte lidhje të ngushta me organizata të tjera kriminale shqiptare në Shqipëri, Amerikën Latine, Belgjikë dhe në vendet e Ulëta.
Sipas informacionit të zbuluar, paratë që fitoheshin nga trafiku i drogës ricikloheshin në ekonominë e disa shteteve të ndryshme, duke theksuar përmasat ndërkombëtare të aktivitetit të paligjshëm.
Identifikimi i anëtarëve të grupit dhe zbardhja e operacioneve të tij kriminale janë realizuar përmes bisedave të kriptuara në pajisje celulare të teknologjisë së lartë, me ndihmën e ekspertëve nga Europol dhe Eurojust.


