Në fund të janarit Ministri i Jashtëm britanik Jeremy Hunt ka ardhur në Uashington për një seri takimesh lidhur me një temë të mprehtë: administrata Trump i ka kërkuar aleatëve të Shteteve të Bashkuaara që të mos ia besojnë realizimin e rrjeteve 5G, rrjetet e telekomunikacionit e gjeneratës së ardhshme, Huawei, kompanisë kryesore kineze të sektorit. Por a është e gatshme Londra që të vërë në rrezik raportet e saj me Pekinin për të kënaqur Uashingtonin?
Mbretëria e Bashkuar nuk është vendi i vetëm që po e pëson këto presion. Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar edhe autoriteteve polake që të mos ia japin Huawei ndërtimin e rrjetit 5G. Administrata amerikane ka lënë të kuptohet se prania e ardhshme e trupave të saj në Poloni, përfshi perspektivën e një baze të përhershme ushtarake, mund të varet nga vendimi i Varshavës. Dhe pranverën e kaluaar një delegacion amerikan është paraqitur në Gjermani, ku edhe kryqëzohet pjesa më e madhe e rrjeteve të fibrës optike europiane dhe ku Huawei do të donte të ndërtonte nyjet që bëjnë të funksionojë sistemi. Me pak fjalë, mesazhi ishte: rreziqet për sigurinë e aleatëve të NATO-s e tejkalojnë shumë më tepër çdo avantazh ekonomik të lidhur me përdorimin e rrjeteve kineze të telekomunikacionit.
Armë jokonvencionale
Vitin e fundit Shtetet e Bashkuara kanë hyrë në një fushatë botërore diskrete, por nganjëherë kërcënuese, për ta përjashtuar Huawei dhe kompani të tjera kineze nga transformimi më i rëndësishëm i strukturave që kontrollojnë internetin qysh kur ka lindur rrjeti. Sipas administratës Trump, bota është e impenjuar në një garë të re armatimesh, që ka të bëjë më shumë me teknologjinë sesa me armët konvencionale, por që është po aq e rrezikshme për sigurinë e Shteteve të Bashkuara. Në një epokë ku armët më të fuqishme, përjashto ato bërthamore, kontrollohen nga kompjuterët, vendi që do të dominojë rrjeti 5G do të ketë një avantazh në nivel ekonomik, ushtarak dhe të inteligjencës për pjesën më të mirë të shekullit.
Kalimi në 5G ka mundësi do të jetë më shumë revolucion sesa evolucion. Gjëja e parë që përdoruesit do të vërejnë do të jetë shpejtësia: të dhënat do të shkarkohen thuajse menjëherë, deri edhe në smartfonë. 5G-ja është rrjeti i parë i ndërtuar për t’u shërbyer ndjesorëve, robotëve, mjeteve që drejtohen vetë dhe dispozitivëve të tjerë që do të transmetojnë sasi të jashtëzakonshme të dhënash dhe do të mundësojnë të menaxhohen fabrika, kantiere, qytete të tëra pa u dashur të përdoret ndërhyrja njerëzore. Do të mundësojë edhe një përdorim më të madh të realitetit virtual dhe të inteligjencës artificiale. Por ajo që sjell avantazhe për përdoruesit mund të favorizojë edhe shërbimet sekrete dhe që këdo që dëshiron të bëjë sulme informatike. Sistemi 5G është një rrjet nyjesh dhe router-ash, por mbështetet më shumë në software kompleksë më të përshtatshëm dhe që azhurnohen vazhdimisht, pa e kuptuar përdoruesit, paksa si smartfonët që bëjnë azhurnime automatikisht teksa janë në karikim. Nënkupton edhe se kush kontrollon rrjetet, kontrollon fluksin e informacioneve dhe mund të jetë në gjendje të modifikojë, ridrejtojë apo kopjojë të dhëna pa dijeninë e përdoruesve.
Nga intervistat e marra funksionarëve qeveritarë të sotëm dhe të së kaluarës, agjentë të shërbimeve sekrete dhe drejtues kompanishë të mëdha të telekomunikacioneve del që potencialiteti i 5G e ka bindur administratën Trump se në këtë garë armatimesh duhet të ketë vetëm një fiitues dhe kush e humbet mbetet jashtë. Shtëpia e Bardhë prej muajsh po përgatit një urdhër ekzekutiv, që duhet të dalë javët e ardhshme, që u ndalon kompanive amerikane të përdorin komponentë kinezë në rrjetet më të ndjeshme të telekomunikacioneve. Kjo shkon shummë përtej normave në fuqi, që ia ndalojnë përdorimin vetëm për rrjetet qeveritare. Nervozizmi i Uashingtonit ushqehet nga frika se mos kinezët mund të fusin në rrjetet informatike dhe në ato të telekomunikacioneve një “backdoor” që do t’u mundësonte shërbimeve të tyre të sigurisë të interceptonin komunikacionet e ushtrisë, qeverisë dhe kompanive të mëdha. Infiltrime të ngjashme kanë ndodhur tashmë edhe herë të tjera, nga dora e hakerëve të dyshuar se punojnë për qeverinë e Pekinit. Tani që vendet e ndryshme të botës po fillojnë të vendosin se kush do t’i ndërtojë rrjetet e tyre 5G, ankthi i Uashingtonit është rritur.
Për autoritetet amerikane metoda e përdorur deri më tani për të kërkuar porta sekrete në aparaturat dhe në software e krijuar nga kompani kineze është e gabuar, siç është verifikimi nëse ekzistojnë apo jo raporte midis disa drejtuesve të kompanive dhe Pekinit. Problemi kryesor, thonë, është natyra gjithnjë e më autoritare e qeverisë kineze, linja konfuze ndarëse midis kompanive e shtetit dhe ligjet e reja që mund t’i mundësojnë Pekinit të survejojë rrjetet e ndërtuara nga kompani si Huawei apo ndoshta deri t’u marrë kontrollin. “Është e rëndësishme të kujtohet se raportet midis kompanive kineze dhe qeverisë së Pekinit nuk janë të krahasueshme me ato midis sektorit privat dhe qeverive në vendet perëndimore”, thekson William R. Evanina, që drejton National Counterintelligence and Security Center amerikan. “Ligji për inteligjencën i 2017 i imponon kompanive kineze, kudo që të operojnë, të bashkëpunojnë me shërbimet sekrete të Pekinit”.
Strategji më e gjerë
Vëmendja e veçantë që Shtëpia e Bardhë po i kushton Huawei futet në politikën e Uashingtonit ndaj Pekinit, që ka çuar në rritjen e tarifave ndaj produkteve kineze, limiteve të vendosura ndaj investimeve dhe akuzave për hakerim e spiunazh informatik të bëra ndaj qytetarëve kinezë. Presidenti Trump e ka akuzuar Kinë se po “grabit Shtetet e Bashkuara” dhe se dëshiron të bëhet më e fortë në kurriz të tyre. Opinionet e Trump, kombinuar me mungesën e provave të qëndrueshme në përfshirjen e Huaëei në aktivitete spiunazhi, i kanë shtyrë disa vende që të pyesin nëse objektivi i kësaj fushate është vërtet siguria kombëtare apo më shumë pengimi i Kinës në fitimin e një avantazhi. Funksionarët e qeverisë amerikane nuk shohin shumë diferencë midis dy objektivave. “Presidenti ka vendosur se tejkalimi i këtij problemi është i rëndësishëm, jo vetëm për rivendosjen e një ekuilibri ekonomik dhe për ta shtrënguar Kinën që të respektojë rregullat, si gjithë të tjerët, por edhe për të shmangur një disekuilibër force politik dhe ushtarak në të ardhmen”, thotë Këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare John R. Bolton. “Për Presidentin të dy aspektet janë ngushtësisht të lidhura”.
Të kabllosh botën
Uashingtoni po i paralajmëron aleatët e tij se 6 muajt e aardhshëm do të jenë vendimtarë. Vende të ndryshme nisin të bëjnë tenderët e radiofrekuencave për rrjetet e reja 5G dhe po vendosin me kë të firmosin kontratat multimmiliardëshe për ndërtimin e sistemeve të shpërndarjes. Komisioni Amerikan për Komunikacionet para pak kohe ka njoftuar se e ka përfunduar tenderin e tij të parë për atribuimin e frekuencave 5G më të larta. Për qeverinë kineze është rasti që ta kabllojë botën, në një fazë ku vendet europiane, aziatike dhe afrikane janë gjithnjë e më shumë të lidhura pas fuqisë ekonomike të saj. “Do të jetë një revolucion akoma edhe më i rëndësishëm se ai i elektricitetit”, thotë Chris Lane, specialist telekomunikacionesh në qendrën e analizave Sanford C. Bernstein të Hong Kong. “Gjithçka do të jetë e lidhur dhe sistemi nervor qendror i këtyre qyteteve inteligjente do të jetë 5G-ja”.
Asnjë provë
Deri më tani, frikërat ndaj Huawei janë thuajse krejtësisht hipotetike. Sipas disa funksionarëve amerikanë ekzistojnë dokumenta sekrete që e lidhin kompaninë kineze me aktivitete të mundshme spiunazhi, por snjë dokument nuk është bërë publik. Persona të tjerë të mirëinformuar mbi fushatën ndaj kompanisë thonë se nuk ekziston asnjë provë konkrete, vetëm një frikë në rritje prej dominimit teknologjik në rritje të Huawei dhe për ligjet kineze që imponojnë të plotësohen kërkesat e Pekinit. Ren Zhengfei, themeluesi i kompanisë, e mohon se është përfshirë ndonjëherë në aktivitete spiunazhi: “E dua vendin tim. E mbështes Partinë Komuniste Kineze, por nuk do të bëja kurrë asgjë për ta dëmtuar një vend tjetër”.
Më 2018 Australia e ka përjashtuar Huawei dhe një kompani tjetër kineze, ZTE-në, nga furnizimi me pajisje për 5G. Vende të tjera janë të pavendosur nëse ta ndjekin apo jo shembullin e saj dhe të rrezikojnë kështu që ta zemërojnë Pekinin, që mund t’i pengojë të hyjnë në tregun kinez në ekspansion të vazhdueshëm dhe t’i privojë nga produktet Huawei, shumë më ekonomike se të tjerët. Autoritetet e Mbretërisë së Bashkuara bëjnë me dije se Huawei ka investuar tashmë shumë në rrjetet e vjetra, duke ia besuar ndërtimin dhe menaxhimin britanikëve. Sipas tyre, kompania kineze nuk do të tërhiqet, do të menaxhojë rrjetet e të paktën gjysmës së botës dhe në një farë mënyre do të jetë e lidhur me ato të Shteteve të Bashkuara dhe të aleatëve të tyre. Por kolosi britanik i telekomunikacioneve BT synon që t’ia zhvasë një fetë: ka deklaruar se ishte tashmë në planet e saj kur ka blerë komppaninë që përdorte aparturat Huawei (sipas autoriteteve amerikane, BT-ja e ka blerë kompaninë pasi shërbimet sekrete britanike e kishin paralajmëruar për rreziqet e mundshme). Edhe kompania Vodafone, që e ka selinë në Mbretërinë e Bashkuara, ka deklaruar se për momentin do ta pezullojë blerjen e materialeve nga Huawei për rrjetin e saj 5G.
Qeveri të ndryshme kanë asistuar me shqetësim ndaj raprezaljeve të mundshme të Kinës ndaj vendeve që e pengojnë. Në dhjetor, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara, në Kanada është arrestuar Meng Wanzhou, një drejtuese e lartë e Huawei. Meng, që është e bija e Ren, është akuzuar se ka mashtruar bankat për ta ndihmuar komppaninë që të shmangë sanksionet ndaj Iranit. Më pas Pekini ka rrestuar dy qytetarë kanadezë dhe ka dënuar me vdekje një tjetër, më parë i dënuar me 15 vjet për trafik droge. “Situtata e Europës është interesante, pasi vendet e saj janë të detyruar të rreshtohen”, thotë Philippe Le Corre nga qendra studimore Carnegie Endowment for International Peace. “Gjenden në mes të konfrontimit. Të gjitha qeveritë duhet ta marrin një vendim. Huawei është kudo”.
Në dhjetor, qeveria polake ka arrestuar dy figura të rëndësishme: Piotr Durbaljo, një ish funksionar i shërbimeve sekrete, dhe Wang Wejing, një punonjëse e Huawei. Deri më tani prova më konsistente e lidhjes midis kompanisë kineze dhe aktiviteteve të spiunazhit. Një ish funksionar i lartë i shërbimeve sekrete polake ka deklaruar se Wang, menjëherë i pushuar nga Huawei, është akuzuar se punon për shërbimet sekrete e Pekiniit. Sipas diplomatëve amerikanë, ishte ai kontakti i Durbajlo që do t’i ndihmonte kinezët të hynte në rrjetet e komunikimit më të mbrojtura të qeverisë polake. Për një funksionar të lartë amerikan, ky është një shembull tipik sesi qeveria kineze infiltron spiunët e saj brenda rrjetit të gjerë global të Huawei: këta persona mund të futen në rrjetet e komunikimit dhe të zhvillojnë aktivitete spiunazhi pa dijeninë e kompanive të përfshira. Huawei ka deklaruar se Wang e ka “diskredituar” kompaninë dhe se veprimet e tashmë ish punonjësit nuk kanë të bëjnë aspak me aktivitetet e grupit. Sipas avokatit të tij Bartolomiej Jankowski, Wang ka rënë viktimë e betejës në zhvillim midis Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.
Autoritetet amerikane dhe britanike kishin filluar ta dyshonin integritetin e Huawei, pasi duke analizuar kodin bazë të saj në kërkim të “backdoor”, ekspertët e tyre të sigurisë informatike kishin zbuluar se kompania mund të futej në disa rrjete nga selia qendrore e saj në Shenzhen. Pas një shqyrtimi më të kujdesshëm ishte përcaktuar se kodi i instaluar nga kompania në software e saj e kontrollit të rrjeteve nuk ishte malware dhe nuk ishte as edhe i fshehtë. Dukej se ishte pjesë e një sistemi për të azhurnuar rrjetet në largësi dhe diagnostikuar probleme eventuale. Por në disa raste mund edhe të pilotohej trafiku i qendrave të të dhënave, nga ku kompanitë kontrollonin rrjetet e tyre. Sot fakti që ky software ekzistonte është përdorur për të mbështetur tezën sipas të cilës hakerët dhe shërbimet sekrete kineze mund t’i shfrytëzonin pajisjet e Huawei për të infiltruar në miliona rrjete. Veç kësaj, funksionarë dhe studiues amerikanë denoncojnë se kompanitë kineze e telekomunikacioneve do t’i përvetësonin përkohësisht disa pjesë të internetit, duke e devijuar trafikun e Shteteve të Bashkuara dhe Kanadasë drejt Kinës. Sipas një studimi ku kanë marrë pjesë Chris C. Demchak, Docent në United States Naval War College, në 2016 trafiku nga Kanadaja në Korenë e Jugut është drejtuar për 6 muaj drejt Kinës. Për autoritetet amerikane ky sulm do të përsëritej.
Në 2018 kompanitë amerikanë të telekomunikacionit AT&T e Verizon kanë pushuar së shituri celularë Huawei në dyqanet e tyre pasi kompania kineze kishte filluar të përdortë mikroçipë të prodhimit të saj në vend atyre të prodhuar në Shtetet e Bashkuara apo në Europë. Për Agjencinë e Sigurimit Kombëtar (NSA) me këto mikroçipë kompania kineze mund të kontrollojë të gjithë komponentët e rëndësishëm e rrjeteve të saj, ndërsa NSA-ja nuk mund të mbështetet më mbi furnizuesit europianë e amerikanë që të paralajmërohet për malware eventualë apo aktivitete spiunazhi. Brenda 20 vitesh, Huawei është transformuar nga rishitës i voogël pajisjesh për celularë të fashës së ulët në një prej sektorëve më të rëndësishëm teknologjikë të shekullit. Në 2018 i ka marrë Apple vendin e dytë si prodhuesi i dytë më i madh i smartfonëve në botë. Richard Hu, i cili drejton repartin tregtar të kompanisë, ka deklaruar: “Edhe pa tregun amerikan, do të bëhemi numri një në botë” brenda fundit të këtij viti ose, maksimumi, në 2020.
Ngjitje e pandalshme
Huawei është themeluar më 1987 nga Ren, një ish inxhinier i Ushtrisë Popullore Çlirimtare, i bërë një prej biznesmenëve më të suksesshëm kinezë. Funksionarët kinezë theksojnë se kompania ka filluar duke imituar apo duke vjedhur teknologji amerikane. Në vitin 2003, kompania Cisco System e paditi Huawei, duke e akuzuar se kishte kopjuar kodin bazë të saj (më pas të dyja palët kanë arritur një marrëveshje pa shkuar në gjykatë). Por Huawei nuk është kufizuar vetëm tek kopjimi. Ka hapur qendra kërkimore (një në California) dhe ka lidhur bashkëpunime me universitete të njohur në të gjithë botën. Më 2018 ka regjjistruar të ardhura prej 100 miliard dollarësh, dyfishin e Cisco dhe shumë më tepër se IBM-ja. Aftësia e saj për të prodhuar pajisje të mira me një kosto më të ulët se konkurrentët e saj perëndimorë ka shkelmuar nga sektori kompani dikur dominuese si Motorola dhe Lucent.
Por aktiviteti i spiunazhit funksionin me kahje të dyfishtë. Siç ka zbuluar Edward Snowden, ish punonjësi i NSA-së, më 2010 agjencia amerikanë infiltroi fshehurazi në selinë qendrore të Huawei në një operacion me emrin e koduar “Shotgiant”. Dokumente të tjera demonstrojnë se NSA-ja po kërkonte provat, asnjëherë të gjetura, se Huawei kontrollohej fshehurazi nga ushtria kineze dhe se Ren nuk e kishte lënë asnjëherë detyrën e tij si ushtarak. Por dokumentat e bërë publike nga Snowden demonstrojnë se NSA-ja kishte edhe një qëllim tjetër: të studionte teknologjinë e Huawei dhe të kërkonte porta sekrete. Në këtë mënyrë, kur kompania t’i shiste materiale vendeve armike të Amerikës, NSA-ja do të vinte në shënjestër rrjetet e tyre informatike e telefonike dhe t’i survejonte ose, në rast nevoje, edhe t’u bënte sulme informatike. Me fjalë të tjera, amerikanët donin që t’i bënin Huawei të njëjtën gjë për të cilën e akuzojnë tani.
Pas zhurmës së ngritur më 2013 nga predominimi i Huawei në tregun britanik, i fuqishmi Komision i Inteligjencës dhe i Sigurisë i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar i kishte propozuar ndalimin, edhe në dritën e sulmeve informatike kineze kundër qeverisë së Londrës. Propozimi do të refuzohej, por është futur në një sistem që i impononte kompanisë ta vinte hardëare dhe kodin bazë të saj në dispozicion të Government Communication Headquarters (GCHQ), agjencisë qeveritare që meret me sigurinë dhe spiiunazhin. Korrikun e kaluar, British National Cyber Security Center ka deklaruar publikisht për herë të parë se dyshimet mbi praktikat aktuale e Huaëei dhe kompleksiteti i rrjeteve të reja 5G e bëjnë të vështirë që t’i individualizohen dobësitë.
Pakashumë në të njëjtën periudhë, gjatë një serie takimesh të rezervuara me drejtuesit e kompanive të telekomunikacionit, NSA-ja duhej të vendoste nëse duhej ta lejonte ose jo Huawei për të marrë pjesë në tenderin për realizimin e disa pjesëve të rrjeteve 5G amerikane. AT&T dhe Verizon thoshin se do të ishte mirë që t’i lihej Huawei një “bankoprovë” në Shtetet e Bashkuara, sepse kështu do të duhej të zbulonin kodin bazë e software të saj, pa llogaritur se kjo do të bënte të ulej edhe çmimi i rrjeteve. Michael S. Rogers, në atë kohë kreu i NSA-së, nuk qe dakord dhe Huawei u bllokua.
Një fushatë globale
Në korrikun e 2018 duhej marrë një vendim dhe përfaqësuesit e Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Australisë dhe Zelandës së Re (Five Eyes, një alenacë shërbimesh të inteligjencës) kanë mbajtur takimin e tyre në Halifax të Nova Scotia. Në rend të ditë ishin kompanitë kineze e telekomunikacionit, Huawei e rrjetet 5G, dhe është vendosur të provohet t’i pengohet kompanisë ndërtimi i rrjeteve të reja në Perëndim. Funksionarët e lartë amerikanë kanë kërkuar t’u bëjnë aleatëve të tyre në të gjithë botën se lufta me Kinën nuk është vetëm tregtare, por është një betejë për mbrojtjen e sigurisë së demokracive kryesore të botës dhe të vendeve kyç të NATO-s. Më 29 janar, drejtorët e agjencive amerikane të inteligjencës i kanë paraqitur Senatit raportin e tyre vjetor dhe midis kërcënimeve kanë cituar investimet në rrjetet 5G e kompanive të huaja të telekomunikacionit.
Polonisë, thonë persona të mirëinformuar, i është dhënë meszhi se vendet që përdorin rrjetet kineze të komunikimit nuk janë të sigurta për trupat amerikane. Polakët e kanë pranuar, duke parë se Presidenti i tyre Andrzej Duda në shtator ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë për të paraqitur projektin e ndërtimit ttë një baze ushtarake 2 miliard dollarëshe, e quajtur me shaka, por jo edhe aq, Fort Trump. Sipas ish kreut të shërbimeve sekrete polake, Kolonelit Grzegorz Maleki, është e kuptueshme që Shtetet e Bashkuara duan të kufizojnë rreziqet për ushtarët e tyre. “Kontrolli i rrjeteve 5G është një instrument potenccialisht i rrezikshëm”, shpjegon Maleki, i cili tani kryeson Këshillin Administrativ të Institutit Polak për Sigurinë dhe Strategjinë. “Për Poloninë garantimi i sigurisë së trupave është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër”. (nga The New York Times, Përgatiti: Armir Tirana)