Thirrjet për vendosje të sanksioneve janë përsëritur së fundmi, pasi Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione të reja ndaj liderit të serbëve të Bosnje e Hercegovinës, Millorad Dodik, dhe ndaj personave të tjerë, të cilët dyshohet se janë të përfshirë në vepra korruptive apo paraqesin rrezik për paqen dhe stabilitetin e vendit si dhe rrezikojnë të arriturat e deritashme të angazhimit ndërkombëtar.

Po ashtu, në dhjetor të vitit 2021, SHBA-ja sanksionoi edhe disa persona në veri të Kosovës, ndërkaq në maj të po atij viti, ish-presidenti i Shqipërisë, Sali Berisha, u shpall “non grata” (i padëshirueshëm) nga Uashingtoni zyrtar.

Të gjitha këto sanksione nga SHBA-ja janë mirëpritur në selinë e BE-së në Bruksel. Por, në asnjërën prej këtyre rasteve blloku evropian nuk i është bashkuar Uashingtonit për të vendosur sanksione. Brukseli ka thënë se “BE-ja mbështet secilin hap që ndihmon në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që paraqesin sfidën më serioze për të ardhmen e rajonit”.