Sistemet e mbrojtjes ajrore që Rusia i furnizoi Venezuelës ishin kryesisht jofunksionale dhe dështuan t’i përgjigjeshin sulmit amerikan në shkallë të gjerë që i parapriu një operacioni të forcave speciale amerikane për të kapur Nicolas Maduron. Zbulimi u bë nga një artikull në New York Times.
Venezuela kishte filluar të blinte sisteme raketash tokë-ajër S-300 dhe Buk-M2 të prodhuara në Rusi në vitin 2009, si një mënyrë për të mbrojtur hapësirën ajrore të vendit mes tensioneve të larta me Shtetet e Bashkuara.
Megjithatë, sistemet nuk ishin të lidhura as me radarin kur forcat amerikane hynë në hapësirën ajrore të Venezuelës më 3 janar, thanë zyrtarët amerikanë për New York Times.
Sistemet e mbrojtjes ajrore nuk ishin të lidhura në rrjet dhe mund të mos kenë qenë funksionale për vite me radhë, theksuan gjithashtu zyrtarë amerikanë dhe analistë të pavarur.
Komponentët kryesorë të sistemeve ishin në magazinë në atë kohë dhe nuk ishin vendosur, tregoi një shqyrtim i fotove, videove dhe imazheve satelitore të marra pas sulmeve. Analiza tregoi se forcat amerikane po u jepnin përparësi sulmeve ndaj vendeve ku Venezuela kishte vendosur ose ruajtur sisteme raketash Buk, duke përfshirë vendet pranë Karakasit.
Venezuela po luftonte gjithashtu për të mirëmbajtur mbrojtjen e saj ajrore të prodhuar në Rusi për shkak të mungesës së specialistëve dhe pjesëve rezervë rusë, të cilat, sipas zyrtarëve amerikanë, po ridrejtoheshin për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Është e mundur që Moska lejoi që sistemet e shitura Venezuelës të imobilizoheshin për të shmangur një konfrontim më serioz me Uashingtonin, thanë dy zyrtarë amerikanë.
“Forcat e armatosura të Venezuelës ishin praktikisht të papërgatitura për sulmin e SHBA-së”, tha për New York Times, Yasser Trujillo, një analist ushtarak në Venezuelë.
“Trupat e tyre nuk u shpërndanë, radari i zbulimit nuk u aktivizua, nuk u vendos dhe as nuk funksionoi. Ishte një zinxhir gabimesh që i lejoi Shteteve të Bashkuara të vepronin me lehtësi, duke u përballur me një kërcënim shumë të ulët nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Venezuelës.”


