• Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
AlpeNews
  • 4 June, 2026
AlpeNews

Tirana, Albania

4 June, 2026
  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Follow
    • Facebook
    • Twitter
    • Youtube
    • Instagram
  • No categories
ANALIZA E REL/ Kosova në dilemë institucionale: Kuvendi i shpërndarë, Qeveria në detyrë?
Home
Rajon

ANALIZA E REL/ Kosova në dilemë institucionale: Kuvendi i shpërndarë, Qeveria në detyrë?

9 March, 2026 s.autor Rajon

Ngjarjet e 5 dhe 6 marsit krijuan një situatë të paqartë dhe të tensionuar në politikën e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh: A është Kuvendi i shpërndarë? A po funksionon Qeveria në detyrë? Dhe kush i merr vendimet tani?

Pasi Kuvendi nuk arriti ta zgjidhte presidentin e ri në seancën e 5 marsit, të nesërmen presidentja aktuale, Vjosa Osmani, e shpërndau legjislaturën e dhjetë. Pas nxjerrjes së dekretit, Osmani takoi liderët e partive për konsultime mbi datën e zgjedhjeve – takim në të cilin nuk mori pjesë partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e kryeministrit Albin Kurti. Kjo parti e dorëzoi dekretin në fjalë për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kabineti i Osmanit konfirmoi se presidentja do të presë përgjigjen e saj, për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e vlerëson si të nevojshme të caktohet një mase e përkohshme, Presidenca e mirëpret atë, duke ritheksuar se masa – në asnjë moment – nuk paragjykon vendimin përfundimtar të Gjykatës lidhur me kushtetutshmërinë e dekretit”, tha këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.
Sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dekreti i presidentes Osmani është antikushtetues. “Në një shtet demokratik, asnjë institucion dhe asnjë bartës i funksionit publik nuk mund të veprojë mbi Kushtetutën apo jashtë saj”, tha shefja e deputetëve të LVV-së, Arbërie Nagavci, në njoftimin se i është drejtuar Kushtetueses për rastin, më 9 mars.

Kushtetuesja konfirmoi për REL-in se ka pranuar kërkesën nga Lëvizja Vetëvendosje. Nga 6 marsi, kur u shpërnda legjislatura e 10-të, Kuvendi nuk mbajti asnjë seancë dhe asnjë mbledhje të komisioneve parlamentare. Kryeministri Kurti u tha gazetarëve atë ditë se shpërndarja e Kuvendit ka pamundësuar mbajtjen e një seance të planifikuar për po atë ditë, në të cilën pritej të ratifikoheshin disa marrëveshje ndërkombëtare.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, tha se nuk mund të thërrasë seanca derisa dekreti i presidentes mbetet në fuqi.

“Nëse ka dekret për shpërndarje të Kuvendit, Kuvendi nuk mund ta vazhdojë punën. Nëse Gjykata Kushtetuese do të marrë masë të përkohshme, natyrisht që rrethanat do të ndryshojnë”, tha Haxhiu më 9 mars.

Partitë opozitare nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it nëse do të dërgojnë komente në Gjykatën Kushtetuese, në rastin e dekretit të presidentes, ndërsa publikisht e mbështetën vendimin e saj.

Neni 30 i Ligjit për Qeverinë thotë se ekzekutivi konsiderohet në dorëheqje pas shpërndarjes së Kuvendit.

Por, i njëjti ligj parasheh që Qeveria aktuale ta vazhdojë detyrën me disa kufizime derisa të zgjidhet Qeveria e re. Qeveria nuk iu përgjigj REL-it nëse po vepron me statusin e Qeverisë në dorëheqje, por kryeministri Kurti vazhdoi emërimet e tre zëvendësministrave edhe pas shpërndarjes së Kuvendit.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se ligji ia ndalon Qeverisë në dorëheqje të iniciojë procedura për emërime të reja në pozita publike. Ndaj, sipas tij, emërimet e zëvendësministrave dhe të pozitave tjera të larta qeveritare janë problematike nga pikëpamja juridike.

“Emërimet e tilla mund të konsiderohen jo vetëm jolegjitime në aspektin politik, por edhe jolegale në aspektin juridik, pasi tejkalojnë kompetencat që i lejohet të ushtrojë një qeverie në dorëheqje. Përveç procedurave që kanë nisur, ato duhet të përfundohen”, shpjegon Jakaj për Radion Evropa e Lirë.

Legjislatura e 10-të arriti të miratojë buxhetin për vitin 2026 dhe disa marrëveshje ndërkombëtare, të cilat po prisnin për gati një vit.

Jakaj vlerëson se ka një numër të madh institucionesh të pavarura që vazhdojnë të funksionojnë me ushtrues detyre ose me mandate të përfunduara.

Ndër to janë: Komisioni i Pavarur për Media, Bordi i Radio Televizionit të Kosovës, si dhe Avokati i Popullit dhe pesë zëvendësit e tij, të cilët janë duke ushtruar funksionin me mandat të përkohshëm.

“Nëse vendi shkon në zgjedhje dhe procesi i konstituimit të institucioneve zgjatet, ekziston rreziku që këto institucione të mbeten të paralizuara për një periudhë të gjatë, duke krijuar pasoja serioze për funksionimin normal të shtetit”, thotë Jakaj.

Një problem tjetër është përbërja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ligji për Zgjedhje të Përgjithshme kërkon që grupet parlamentare të propozojnë kandidatët për anëtarë të KQZ-së brenda 30 ditëve nga certifikimi i zgjedhjeve. Data e fundit për këtë është 11 marsi, ndërsa mandati i anëtarëve të rinj fillon më 11 prill.

Por, si mund të japin emra grupet parlamentare kur Kuvendi është shpërndarë?

Sipas Jakajt, presidentja mund t’u drejtohet drejtpërdrejt subjekteve politike që kanë fituar ulëse në zgjedhjet e fundit, bazuar në rezultatet e certifikuara nga KQZ-ja.

“Megjithatë, kjo situatë tregon një zbrazëti praktike në legjislacion, sepse ligji është shkruar duke supozuar ekzistencën e grupeve parlamentare. Në periudha tranzicioni institucional, si pas zgjedhjeve dhe para konstituimit të Kuvendit të ri, institucionet duhet të mbështeten në interpretim funksional të ligjit, për të shmangur bllokimin e proceseve të rëndësishme siç është përbërja e KQZ-së”, thotë Jakaj.

Aktualisht, vendi po pret edhe një vendim tjetër të Gjykatës Kushtetuese – atë për kërkesën e kryetares së Kuvendit për pezullimin e afatit kushtetues për zgjedhjen e presidentit.

Jakaj thekson se Ligji për Gjykatën Kushtetuese nuk përcakton një afat strikt për vendimmarrje në raste të tilla.

“Nga praktika e deritanishme, Gjykata Kushtetuese zakonisht vepron me urgjencë, për shkak të natyrës së ndjeshme dhe pasojave institucionale që mund të ketë një situatë e tillë”, sipas tij.

Ai shton se Gjykata Kushtetuese mund të vendosë fillimisht edhe masë të përkohshme, në mënyrë që të shmangen “dëmet e pariparueshme institucionale”, dhe më pas të sjellë vendim përfundimtar për kushtetutshmërinë e dekretit.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të përcaktojë nëse vendi shkon drejt zgjedhjeve apo krijohet një situatë tjetër institucionale./REL

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article "MUND TË PREKË GJUHËN..."/ Dentisti paralajmëron për shenjat e hershme të kancerit të gojës
Previous article LUFTA ME IRANIN/ Avionët luftarakë të Britanisë rrëzojnë dronët e nisur drejt Jordanisë dhe Bahreinit

s.autor

Postime të ngjashme

ANALIZA E REL/ Kush është serbi i ekstremit të djathtë në listën e zezë amerikane që i mblodhi “shokët” evropianë në Beograd? Rajon

ANALIZA E REL/ Kush është serbi i ekstremit të djathtë në listën e zezë amerikane që i mblodhi “shokët” evropianë në Beograd?

KRITIKON POLITIKËN E BE-së/ Vuçiç: Europa po vret veten me proteksionizëm Rajon

KRITIKON POLITIKËN E BE-së/ Vuçiç: Europa po vret veten me proteksionizëm

TRAGJEDI NË GREQI/ Babai dhe djali i tij 20-vjeçar humbin jetën pas përplasjes së rëndë me motor Rajon

TRAGJEDI NË GREQI/ Babai dhe djali i tij 20-vjeçar humbin jetën pas përplasjes së rëndë me motor

Facebook Comments

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

  • Breaking News
  • Politikë
  • OP-ED
  • Aktualitet
  • Ekonomi
  • Kulturë
  • Gossip
  • Sport
  • Jetë
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të Drejtat e Rezervuara
KONTAKT