Deri mesditën e të mërkurës së 21 gushtit, asnjë prej anëtarëve të familjeve të dy viktimave, mësuesit amerikan Matthew Wertz, dhe bashkëshortes së tij indoneziane nuk ka pasur kërkesë për tërheqjen e trupave nga morgu. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme pranë grupit hetimor dhe korrespondencat që kanë pasur Ministria e Drejtësisë me Institutin e Mjekësisë Ligjore. Kjo e fundit ndodhet ende në pritje të nxjerrjes së shkaqeve përfundimtare të vdekjes së çiftit të bashkëshortëve.
Çifti mësohet se më herët ka jetuar në një banesë tek Unaza e Re dhe vetëm prej një muaji ishin zhvendosur në banesën private pranë shinave të trenit, ku ndodhi ngjarja të cilën e kishin marrë me qira. Nga fqinjët nuk ka deklarime me vlerë për hetimin pasi nuk kanë pasur shumë komunikim me to.


