Të gjithë qytetarët e Tiranës që kanë objekte në proces legalizimi, do të kënë një lehtësim pasi nuk do të kenë më nevojë që të paraqiten pranë zyrave të ALUIZNI-t për t’u pajisur me vërtetime për të bërë lidhjen me UKT-në.
Tashmë ky shërbim do të kryhet direkt nga vetë Drejtoria e UKT, sipas marrëveshjes së bërë midis dy institucioneve, ALUIZNI-t dhe UKT.
Kjo marrëveshje ka si qëllim formalizimin e bashkëpunimin për shkëmbimin e informacionit në funksion të efektivitetit, reduktimit të kostove administrative dhe ofrimin e shërbimit ndaj qytetarëve.
Drejtorisë së Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë i është siguruar e drejta e hyrjes në bazën e të dhënave të aplikimeve për legalizim të ndërtimit pa leje nëpërmjet portalit “e-Albania”.
Në ditët në vijim, sipas një kalendari, një marrëveshje e tillë që lehtëson punën dhe shkurton sorollatjet e qytetarëve, do të shtrihet edhe në Drejtoritë e tjera të vendit.


