Sa më shumë zhytemi si shoqëri në hapësirën e pafund të internetit, rrjeteve sociale, në hapësirat e informacionit e në botën mediatike, aq më shumë virtualiteti bëhet realitet dhe realiteti ynë, gjithnjë e më shumë virtual. Viti 2018 për botën mund të jetë i sfidave të eksplorimit hapësinor, i robotikës apo inteligjencës artificiale, ndërsa për Shqipërinë nuk kemi edhe kaq shumë pretendime. Na dalin e na teprojnë disa sfida të tjera, më të thjeshta në dukje, nëpër të cilat shoqëritë e tyre kanë kaluar kohë më parë. Por për ne, janë po aq të rëndësishme, e në mos, edhe më të rëndësishme se të tyret për tu arritur.
Shqipëria sfida për këtë vit në terma realë dhe konkretë mund të ketë shumë, por ato janë përmbledhur nga analistët dhe vëzhguesit tanë më seriozë, në dy pika kryesore:
Së pari, fillimi i zbatimit të reformës në drejtësi pas ngritjes së institucioneve të reja kushtetuese të sistemit të ri.
Së dyti, integrimi europian i vendit, për aq kohë sa sinjalet janë që vendet e Ballkanit Perendimor dhe Shqipëria mes tyre, pritet të hedhë një hap tjetër në përpjekjet për tu anëtarësuar në BE. Ajo që presim ne më konkretisht, është marja e një date për çeljen e negociatave me Brukselin për të përmbushur detyrimet edhe në ato 30 e ca kapitujt, që na bëjnë më pas shtet anëtar.
Deri këtu, duket sikur të gjithë janë dakord me integrimin. Edhe klasa e vjetër, edhe elita e re politike. Edhe të majtët, edhe të djathtët. Edhe mazhoranca, edhe opozita. Edhe opozita kryesore, edhe të vegjlit e opozitës. Edhe opozita e vjetër, edhe opozita e re.
Po të dëgjoje fjalimin e Ilir Metës para trupit diplomatik në Tiranë dhe ta krahasosh atë me fjalimin e Edi Ramës me të njëjtët, vetëm pak kohë më parë, edhe pse mund të rrekesh shumë, e sigurtë është që nuk gjen dhe nuk ke për të gjetur ndonjëherë ndonjë ndryshim.
E njëjta gjë është kur dëgjon të flasin për dëshirën e madhe të integrimit edhe Lulzim Bashën, edhe Monika Kryemadhin, edhe Gramoz Ruçin, edhe Jozefina Topallin, edhe Sali Berishën. Nuk gjen asnjë nuancë që ti bëjë të duken qoftë edhe pak fare, të ngjashëm, pasi të ndryshëm, jo e jo që nuk gjen. Të gjithë duken kopje identike me njëri tjetrin, deri në atë masë, sa edhe vetë dëshira e shqiptarëve që janë padyshim populli më pro europian i kontinentit, madje edhe se të gjithë popujt e shteteve themeluese apo shteteve të reja anëtare të unionit.
Pavarësisht se të gjithë i duan të gjitha meritat për vete, ka nga ata liderë që për tu dukur të moderuar në sytë e shqiptarëve që e pranojnë verbalisht të paktën, se edhe kundërshtari ka patur ndonjë meritë për procesin. Ka diçka tjetër që i bashkon të gjithë protagonistët kryesore të politikës shqiptare në fakt. As për këtë nuk kemi pse i biem në qafë e t’ia hajmë hakun. Të gjithë akuzojnë kundërshtarin politik se është bërë, po bëhet dhe do të bëhet pengesë në të ardhmen, për çështjen e integrimit.
Pavarësisht sesa realë apo të shtirur janë, në fund të fundit, ka gjithnjë diçka që i dallon e do ti dallojë gjithmonë, liderët apo partitë, grupet dhe kahjet politike që e duan realisht, jo vetëm me fjalë por edhe në praktikë, integrimin. Ashtu siç edhe Frojdi dikur thonte se në kohët moderne, pavarësisht se njerëzit gjithnjë e më shumë kanë e do të kenë mundësi të shkollohen, të udhëtojnë, të mësojnë zanate e shprehi të reja, të argëtohen, të pasurohen, të vishen, të kenë shtëpi të bukura, të dashurojnë e të bëjnë shumë gjëra që në foshnjërinë e tij njerëzimi nuk kishte mundësi që ti bënte dot, përsëri do të ketë në fund të fundit, gjithnjë diçka që do ti dallojë ata nga njëri tjetri. E për të, ishte: gjaku.
Pavarësisht nëse je apo jo dakord me thelbin e kësaj thënie, për analogji edhe në Shqipëri, liderët tanë politikë pavarësisht se çfarë thonë e duket sikur bëjnë për integrimin, gjatë 2018 kane diçka që do ti bëjë të dallojnë në fund të fundit nga njëri tjetri, në lidhje me këtë proces. E ajo është: Reforma në drejtësi. Qëndrimi dhe qasja ndaj saj.