Ka një simetri perfekte në kahje diametralisht të kundërta, mes mazhorancës së Kryeministrit Rama dhe opozitës së vjetër, në raport me qëndrimet e tyre për të ardhmen e Shqipërisë. Për ta kuptuar këtë, nuk është se duhet edhe aq shumë informacion, sesa pak më shumë vëmendje për të lexuar siç duhet qëndrimet e secilës palë.
Mazhoranca është për rrugën institucionale të të bërit politikë dhe shtet modern. Opozita është për rrugën jashtë institucioneve.
Mazhoranca është për rrugën e dialogut, adresimit të problemeve nëpërmjet garancive ligjore e kushtetuese për zhvillimin me standarde të zgjedhjeve të ardhshme. Opozita është për bojkotin e 30 qershorit.
Mazhoranca është për një garë reale elektorale, me programe, platforma, oferta politike dhe lënien e shqiptarëve në gjykim për të zgjedhur më të mirët që do i qeverisin në 61 bashkitë e vendit për 4 vitet e ardhshme. Opozita është për fitoren e pushtetit në tavolinë.
Mazhoranca është për implementimin sa më parë të reformës dhe bërjen sa më shpejt funksionale të sistemit të ri të drejtësisë. Opozita është për ta kthyer mbrapsht këtë faqe historike që Shqipëria po hedh në bashkëpunim të ngushtë me SHBA dhe BE.
Në këtë atmosferë politike në Tiranë, Edi Rama është nisur drejt Berlinit për në Samitin e Ballkanit Perendimor ku do të takohet edhe me Kancelaren gjermane Merkel dhe Presidentin francez Makron, për të diskutuar mbi fatin e hapjes së negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Ndërsa Lulzim Basha ka dhënë një intervistë të gjatë për gazetën sllovene “Delo” ku ka shpalosur për herë të parë pa dorashka, edhe thelbin e hallit të vërtetë dhe real, që ka opozita jonë e vjetër. Për të gjithë ata që kanë patur dilema deri më sot dhe nuk kanë ditur të dallojnë mes xhunglës së komenteve, deklaratave, parrullave, akuzave dhe hiperinflacionit të fjalëve se kush është “Ylli Polar” që po udhëheq opozitën tonë në rrugën pa kthim të vetvrasjes politike, është çasti që të sqarohen njëherë e përgjithmonë.
Frika, halli real dhe arësyeja e vetme se përse lidershipi i opozitës sonë doli nga sistemi politik i vendit, gjendet tek kjo deklaratë e Lulzim Bashës:
“Shqipëria duhet të ndryshojë që nga themeli, që nga organizimi i saj juridik. Drejtësia nuk mund të mbetet më në dëshirat e qeverive, ligjin nuk duhet të jetë monopol i të fortëve dhe të pasurve, por shqiptarët duhet të kenë akses të barabartë në sistemin e drejtësisë.” Kaq.
Pra gjithçka që po bëhet, gjithçka që po luhet, gjithçka që po thuhet e lihet të kuptohet apo nënkuptohet nuk ka lidhje as me “zgjedhjet e vjedhura më 2017”, as me garancitë që duhen dhënë për zgjedhjet e 30 qershorit 2019. Jo.
E gjitha çfarë po ndodh ka lidhje me ketë fjali të sinqertë të Lulzim Bashës të nxjerrë ndoshta pa dashje nga nënkoshienca, në intervistën e dhënë në Solloveni ku thotë: “Shqipëria duhet të ndryshojë që nga themeli, që nga organizimi i saj juridik”. Pikë.
Duke qenë se PD, LSI dhe aleatët e tyre të “Opozitës së Bashkuar” nuk i fitojnë dot zgjedhjet e 30 qershorit me votën e shqiptarëve, për të zhbërë reformën në drejtësi siç sapo ka thënë Basha, dolën nga sistemi me dëshirën për ta fituar pushtetin në tavolinë. Një pushtet imagjinar bazuar mbi kërkesat e tyre absurde politike, që nuk kanë gjetur mbështetje askund. As tek qytetarët tanë brenda. As tek ndërkombëtarët jashtë Shqipërisë.
Siç shihet tashmë, pyetja për Shqipërinë shtrohet: Do eci përpara drejt BE nëpërmjet sistemit të ri të drejtësisë që do hapi dosjet e krimeve dhe kurrupsionit politik 30 vjeçar? Apo do të rikthehemi pas tek drejtësia e vjetër e kulturës së pandëshkueshmërisë? Kjo është çështja!