Shqiptarët, jo rrallëherë në histori, kanë mallkuar fatin që jetojnë në Ballkan, duke e lidhur më së shumti këtë, me historinë e tyre të varfërisë, luftërave e copëtimeve. Pak javë më parë, kur Komisioni Europian rekomandoi hapjen e negociatave të pranimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, shumëkush u gëzua në këto anë, por duket se dera e Brukselit, nuk është edhe aq e lehtë për t’u hapur më 28 qershor.
Megjithëse në Bruksel e pranojnë se, Shqipëria dhe Republika e Maqedonisë së Veriut, i kanë plotësuar kushtet e kërkuara prej tyre; në rastin më të mirë për Tiranën dhe Shkupin, çelja e negociatave mund të jetë me shumë kushte. Ndërsa në rastin më të keq, kuptohet që ëndrra europiane do jetë gjithnjë e më e largët, për të dy shtetet fqinjë.
Arsyet për këtë hezitim të BE-së për zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor, janë të shumta. Por ato mund të përmblidhen në tri më kryesoret, duke u shndërruar në këtë mënyrë, në një lloj “Trekëndëshi Bermude”; sfidat e brendshme; dilemat e strategjisë SHBA-BE dhe ndikimi i faktorit rus, por jo vetëm… në rajon.
Sfidat e brendshme
Shqipëria dhe Maqedonia ndodhen në të njëjtin stad të qasjes drejt BE-së dhe të dyja vendet presin hapjen e dritës jeshile, për të nisur edhe segmentin e fundit të maratonës së tyre drejt anëtarësimit me të drejta të plota. Serbia dhe Mali i Zi e kanë kaluar më herët këtë stad. Kosova pret liberalizimin e vizave brenda 2018, ndërsa Bosnjë-Hercegovina është e fundit pothuajse në këtë proces, duke patur probleme të brendshme specifike.
Sa i takon Shqipërisë, reforma në drejtësi mbi të gjitha, por edhe 4 prioritetet e tjera kyçe të caktuara dikur si kusht për çeljen e negociatave të anëtarësimit, janë përmbushur. Këtë e pranojnë edhe zyrtarët më të lartë të Brukselit, duke e konsideruar madje çështjen e reformës shqiptare në drejtësi, si një model, si një shembull për t’u ndjekur edhe nga vendet e tjera. Korriku konsiderohet më pas një muaj i rëndësishëm, pasi është paralajmëruar arritja e marrëveshjes mes Tiranës dhe Athinës për çështjet kryesore të bartura në marrëdhëniet dypalëshe, përfshi atë të kufirit detar dhe ligjit të luftës.
Pak orë më parë, të dielën që sapo lamë pas, kryeministrat Zaev e Cipras ishin të pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit pas 21 vjetësh negociatash e tensionesh, të marrëveshjes mes Shkupit dhe Athinës zyrtare në lidhje me emrin e shtetit fqinj. Tani e tutje, vendin e Republikës ish-Jugosllave të Maqedonisë, do ta zë: Republika e Maqedonisë së Veriut. Një hap i konsideruar gjerësisht si historik në marrëdhëniet mes tyre, por edhe për Ballkanin në tërësi. Duke i dhënë në këtë mënyrë, mundësinë Maqedonisë të jetë më pranë se kurrë çeljes së negociatave me BE-në. Ajo tashmë ka probabilitetin më të lartë edhe për anëtarësimin në NATO, sipas modelit “të përshpejtuar” që u ndoq për Malin e Zi.
Aleanca BE-SHBA
Sipas “Zërit të Amerikës”, korrupsioni, sundimi i ligjit dhe reformat, vazhdojnë të jenë vështirësitë kryesore të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre të integrimit në BE, thanë pjesëmarrësit në një diskutim në universitetin “Johns Hopkins” në Uashington. “Ekziston një optimizëm jo realist në mesin e miliona njerëzve në Ballkanin Perëndimor për anëtarësim të shpejtë në BE”, – tha Thomas Countryman, ish-zëvendësndihmës Sekretar i Shtetit për Europën. Sipas tij, vendet e Ballkanit duhet të përqendrohen më shumë në përmbushjen e kushteve teknike të procesit të integrimit.
“Është e rëndësishme për vendet e rajonit që ta kuptojnë se ,nuk ekziston një rrugë e pastër politike drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në të kaluarën, disa vende kanë qenë të suksesshme në përpjekjet e anëtarësimit në Bashkimin Europian përmes një rruge të pastër politike, pavarësisht se nuk i kishin përmbushur kushtet teknike. Krijimi i miqësive me vendet e BE-së, promovimi i kandidaturave për anëtarësim, është gjë e mirë, por argumenti politik do të ishte njëqind herë më i fortë, nëse ju i keni përmbushur kushtet teknike, përfshirë sundimin e ligjit.”
Kur vjen puna për anëtarësimin me të drejta të plota në dy organizimet më të rëndësishme – Bashkimin Europian dhe në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO) – shtetet e Ballkanit Perëndimor e shohin këtë si një proces me firmë europiane dhe me vulë amerikane. Sidomos shqiptarët në Shqipëri dhe Kosovë, por edhe qytetarët e Maqedonisë e Malit të Zi e deri diku edhe ato të Bosnje-Hercegovinës. Kjo dukej sikur ka qenë e vërtetë më shumë deri në presidencën e Obamës. Por, politika e jashtme e Presidentit Trump, pavarësisht pritshmërive normale më të mëdha, nuk është se ka ndryshuar në Ballkan.
Një prani më e fortë e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, është e rëndësishme për përparimin e vendeve të Ballkanit në procesin e integrimit euroatlantik, thanë pjesëmarrësit në diskutimin e zhvilluar në Uashington. Sipas tyre, vendet e Ballkanit duhet të intensifikojnë përpjekjet për forcimin e institucioneve të tyre demokratike. Në këtë mënyrë, duke u forcuar së brendshmi, por edhe me një mbështetje më të madhe amerikane e europiane, proceset e integrimit duken më të lehta për të gjitha palët e interesuara. 28 qershori është afër dhe aty do të shihet më qartë se kurrë më parë, ky angazhim.
Faktori rus
“Balkani mbetet përparësi e politikës së jashtme ruse dhe Moska e sheh praninë e saj në rajon, përfshirë në Mal të Zi, si një përpjekje për të balancuar praninë e Perëndimit atje”, – tha ish-ndihmësministri malazez i Shëndetësisë, Nebojsha Todoroviç. Ndërsa Thomas Countryman theksoi se, Rusia dëshiron të ushtrojë ndikim dhe të nxisë vendet e Ballkanit që të imitojnë modelin e saj të një qeverie plotësisht të korruptuar, jo transparente, që kontrollon median. “Kjo nuk është një rrugë e mençur për asnjë vend në Ballkan. Putinizmi me fytyrë njerëzore, nuk është formulë për anëtarësim në BE”.
Daniel Serwer tha se, vendet e Ballkanit nuk duhet të injorojnë përpjekjet e Rusisë për të ndikuar në proceset e integrimit euroatlantik të rajonit. “Serbia ende flirton me Rusinë, sepse Rusia ka ndikim. Rusia ushtron ndikimin e saj në mënyrë legjitime përmes diplomacisë dhe në rrugë të tjera që mund të mos jenë legjitime. Asnjë politikan në Ballkan nuk mund të injorojë faktin që Rusia bëri komplot për vrasjen e Gjukanoviçit. Kjo do marrë seriozisht në konsideratë”.
Siç shihet, fati europian i Ballkanit Perëndimor, po udhëton tashmë në mesin e “Trekëndëshit të Bermudës”, duke patur “karburant” deri më 28 qershor. Shqipëria dhe Maqedonia, i kanë kryer të gjitha lëvizjet e derisotme, duke ndjekur një kurs besnik sipas udhëzimeve të “kullës së komandimit” të “trafikut” drejt Brukselit. Nëse SHBA dhe BE nuk do japin udhëzimet e duhura për uljen në pistën e çeljes së negociatave të anëtarësimit për Tiranën dhe Shkupin, një gjë është e sigurt. Pas kësaj, fati i fluturimit të ardhshëm është në dorë të rrymave dhe shtjellave misterioze të “Trekëndëshit…”, që nuk japin garanci për të ardhmen.
Ashtu si atëherë kur Presidenti Amerikan, Xhorxh W. Bush, erdhi në Tiranë dhe deklaroi se për pavarësinë e Kosovës “time is now”, edhe koha për hapjen e portave të Europës së Bashkuar për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut, është tani! AFP