Këto ditë të përmbytjeve të radhës nga shirat dhe moti ekstrem në territorin e Shqipërisë, mediat kanë publikuar informacione dhe histori njerëzore pafund, në lidhje me banorët e zonave të prekura. Mes tyre, ndoshta nuk ka rënë edhe aq në sy, më tërhoqi vëmendjen një postim i shoqëruar me video bardhë e zi, që tregonte sesi jepej moti në Radio Televizionin Publik Shqiptar rreth 30 vjet më parë. Si një pasqyrë kjo, për ta krahasuar atë sadopak, më të sotmen e bukurosheve të ekraneve me ngjyra e sinjal super HD.
Mu rikthye në memorie një portret shumë familjar, për të cilin legjendat thonin se pavarësisht se kishte thënë një natë më pare në studio se të nesërmen moti do të ishte me diell, ai vetë gjithësesi do të shkonte në punë, me një ombrellë në dorë. “Eh, ku i dihet…”,- citohej ai pothuajse nga të gjithë. Për ne gjimnazistët dhe studentët e viteve ’80 dhe më të mëdhenjtë në moshë se ne, figura e Petrit Lekës na ka rritur. Pavarësisht se mua më ishte ngulitur sikur era frynte çdo ditë e lehtë nga veriperëndimi; se do të kishim gjithnjë mot me vranësira të qëndrueshme dhe valëzimi do të ishte ishte gjithmonë mesatar. Nuk e di pse, por e ndiqnim Petritin ato pak minuta të përditëshme, pothuajse me të njëjtën vëmendje si edhe filmat “Skllavja Izaura”, “Shigjeta e zezë” apo “Oktapodi”…
Pothuajse në të njëjtën periudhë, në anën tjetër të Atlantikut u themelua në 15 shtatorin e vitit 1982 gazeta “USA Today”, e cila do të bëhej brenda një dekade e përditëshmja me tirazhin më të lartë. Në tekstet e historisë së gazetarisë, ky sukses i paparë për tregun e konsoliduar herët të gazetave në SHBA, i atribuohet tri risive absolute që solli botimi i saj. E para, fakti që ishte gazeta e parë që botohej e gjitha me ngjyra. E dyta, se shpërndahej dhe printohej njëkohësisht nëpërmjet një rrjeti shtypshkronjash, në të gjitha shtetet dhe në çdo qendër të banuar të SHBA. E treta, ajo u bë gazeta e parë që faqen e saj të fundit, ja dedikonte të gjithën parashikimit të motit.
Kur mediat e tjera vunë re se njerëzit nuk e nisnin më shfletimin e gazetave nga faqja e parë, por nga prapa dhe duke parë suksesin e menjëhershëm që kjo rubrikë pati tek ata, nxituan kush më herët e kush më vonë, që ta bënte pjesë të rubrikave dhe faqeve të medias së vet. Për shkak edhe të specifikave që ka mënyra amerikane e jetesës, territori i pamatë ku shtrihet vendi dhe mënyra sesi funksionon infrastruktura dhe logjika e të bëri biznes, kuptohet që jeta e tyre ka qenë herët e lidhur me motin dhe kapriçot e saj. Duke i bërë gati gati obsesivë në raportin me parashikimin e motit, pasi e kanë jetike dhe ndjekjen e saj, një mënyrë jetese dhe pothuajse një sport kombëtar.
Ndërsa në Shqipërinë e asaj kohe, ku për gjithçka mendonte partia, pak rëndësi kishte nëse të nesërmen do të binte shi apo jo, e rëndësishme ishte vetëm që kur shoku Enver të ngjitej në tribunë për parakalimet e 1 Majit apo 28- 29 nëntorit, dielli të dilte e të shkëlqente. Nëpër fshatra ku jetonte mbi 70% e popullsisë, kooperativistët kënaqeshin kur binte shi sepse nuk dilnin nëpër ara dhe dita e punës jo e plotë, por u paguhej. Ndërsa në qytete, punëtorët ishin brenda nëpër fabrika, uzina, magazina e miniera dhe pak rëndësi kishte se ç’farë ndodhte jashtë.
Më të shqetësuarat ishin nënat që nuk kishin ku të ndenin rrobat që mezi u thaheshin, sepse pjesëtarët e tjerë të familjes nuk kishin me se të nderroheshin, për të shkuar të nesërmen në punë e shkolla. Ndërsa burrat shqetësoheshin vetëm 2 orë në dy javë, kur ekipi i futbollit kishte në qytetin e tyre, ndeshjen e radhës. Përmbytje nuk kishte, makina për të lëvizur në ato të paktat e të ngushtat rrugë, nuk para kishte. Avionë e tragete shyqyr nuk kishim e nuk kishim. Kështuqë që ishim rehat e më të lumturit në botë.
Ndërsa këtë çerek shekullin e fundit, të paktën një herë në 5 vjet kemi patur ciklin e situatave me përmbytje gjithandej, si kjo që po kalojmë këto ditë. Ndryshimi është se herët e tjera, përmbytjet nuk ishin kaq uniforme sa tani; pothuajse në të gjithë territorin e vendit dhe në të gjithë qytetet e pothuajse përgjatë shtratit të çdo lumi. Nga ana tjetër, sa më shumë që vitet kalojmë, aq më shumë jemi të lidhur me parashikimin e motit. Për fatin tone të mirë, tani na vjen i saktë e në kohë reale nëpër celularë, në kompjutera e nga çdo kanal televiziv e media online. Ndaj, kjo na bën që ta ndjejmë më shumë edhe pasojën që sjell zemërimi dhe ndryshimi i pakontrolluar i motit.
E për këtë, nuk kemi faj. Sepse tani na duhet më shumë se kurrë më parë në historinë tonë, që të jemi të informuar në avancë, për atë që pret nesër. Kjo për shkak të ndryshimit total të stilit dhe mënyrës sonë të të jetuarit nga hapja e vendit, nga liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe pasja e një parku me gati gjysëm milioni makina private që qarkullojnë kudo për qejf, punë, halle e biznes në rrugët e qendrat e banuara të Shqipërisë.
Në ndryshim nga herët e tjera, gjëja më e mirë e madhe që solli kjo përmbytje për shkak të shirave apokaliptikë të ditëve të fundit, ishte gjuha e njëjtë me të cilën e kanë shoqëruar këtë situatë si lideri I mazhorancës, ashtu edhe ai i opozitës. Me thënë të drejtë, Lulzim Bashës i shkonin shumë çizmet kur ecte serbes serbes nëpër pellgjet e ujit, pa dashur tja hajmë hakun.
Si Edi Rama, si ai kanë mundësi që ti rujanë si relike të një kujtimi të largët çizmet e tyre, nëse arrijnë siç thotë Mero Baze, që të bien dakord për tu ulur sëbashku e për ti dhënë këtij vendi një plan strategjik kombëtar për ndërhyrje energjike dhe me efekte afatgjata nëpër kanale, argjinatura, shtretër lumenjsh e kudo në territor, me qëllim që këto skena të mos përsëriten më. E po më dëgjuan mua, Petriti i motit nuk e kishte fare keq atëherë. Ndaj, edhe pas kësaj, ata skanë pse ti hedhin çizmet. Ti mbajnë diku mënjanë, e ti ruajnë njëherë. “Eh, ku i dihet…”