Në Shqipëri po hedh rrënjë gjithnjë e më shumë kultura e pengimit me çdo kusht, me çdo lloj kurthi, mjeti dhe intrige të kundërshtarit, konkurentit apo e kujtdo që të del përpara në rrugën e arritjes me çdo çmim të qëllimeve dhe ambicjeve. Një kulturë që po bëhet një mënyrë jetese, nga individi i thjeshtë e deri tek udhëheqësit politikë.
Më e “bukura” dhe e veçanta e gjithë kësaj kulture është se ajo ka fituar e po fiton çdo ditë e më tepër aq shumë qytetari, sa gjithnjë e më rrallë po e marin mundimin që të fshihen pas parimeve, rregullave të lojës, aleternativave, programeve, interesave publike apo qëllimeve të tjera të larta apo më pak të tilla. Ndaj gjërat po bëhen pothuajse hapur dhe madje, ata që ia dalin, shihen si njerëz shumë të zotë dhe heronjtë pothuajse në modë të epokës që jetojmë.
Për këtë “realitet” nuk është se ka sondazhe, studime, fotografim të ndjesive të individëve apo grupeve të caktuara shoqërore. Sepse “teknologjia” e matjes së preferencave, shijeve, steriotipit të sjelljeve dhe tendencave tona kolektive ende nuk ka mbërritur në Shqipëri. Por kjo nuk e pengon shumëkënd që ta ketë hasur dhe ta ketë ndjerë nën lëkurë këtë trend, apo të ketë qenë edhe vetë “kontributor” për instalimin e kësaj kulture.
Ajo që duket se ka kontribuar më shumë në të gjithën këtë, është klasa jonë politike. E cila për të gjitha arësyet që dihen, ka një peshë dhe luan një rol të dorës së parë në përhapjen më të shpejtë të çdo tendence të re të sjelljes së shoqërisë dhe grupeve të interesit apo individit. E më së shumti, për këtë është investuar opozita në përgjithësi, pavarësisht se kush ka qenë pjesë e saj përgjatë këtyre viteve të fundit në Shqipëri.
Për ta kuptuar më mirë këtë, mjafton të shohësh steriotipin e sjelljes së opozitës aktuale përgjatë këtyre 5 viteve të fundit. Le ti hedhim një vështrim qasjes së saj Parlamentare atje ku është arena kryesore e politikbërjes, qëndrimeve e debateve të një opozite në demokraci. Në pothuajse të gjitha qëndrimet, diskutimet, iniciativat ligjvënëse, reformat e zakonshme apo ato më të mëdha, opozita është munduar që të mos jetë alternative, por bllokuese.
Edhe gjatë debateve nëpër komisionet parlamentare edhe në sallën e seancave plenare të Kuvendit, deputetët e opozitës apo grupet parlamentare të partive të tyre, duket sikur thonë vetëm: JO. Jo për çdo gjë. Për çdo ligj, për çdo nen, për çdo diskutim, për çdo debat, për çdo iniciativë. Sigurisht që shqetësimi nuk ka të bëjë me faktin se opozita kundërshton qeverinë. E kundërta do ishte thellësisht shqetësuese: Nëse opozita do ti thoshtë për çdo gjë PO qeverisë.
Ajo që stonon në këtë rast, është instaliimi i filozofisë së të bërit opozitë vetëm duke thënë JO në çdo vend, për çdo gjë dhe vazhdimisht. Pa marë as më të voglin mundim për të ofruar projektligje alternative, argumenta, drafte, programe, mendime e sygjerime profesionale, studime për impaktin e mundshëm real që mund të sjellin inicitivat dhe ndryshimet ligjore të propozuara nga mazhoranca për shoqërinë dhe qytetarin, etj.
Kjo mënyrë e të bërit opozitë, synon që ta pengojë sa më shumë mazhorancën për të realizuar premtimet e saj elektorale, për ta dëmtuar politikisht e publikisht, për ta bërë që të duket e perceptohet sa më negativisht në sytë e opinionit. Me synimin e thjeshtë për ta bërë atë që të iki sa më shpejt nga pushteti dhe vendin e saj ta zerë sa më pare opozita e JO-së.
Pjesë e axhendës së kësaj kulture fatkeqsisht po bëhet edhe një nga çështjet e konsideruara deri dje, nga ato të paktat pika për të cilat mazhorancat dhe opozitat në Shqipëri dukej sikur do të ishin gjithmonë me të njëjtin qëndrim. Kjo, për shkak se në to janë në lojë interesat e mëdha të qytetarëve, çështja shqiptare dhe orientimi ynë strategjik kombëtar. Eshtë fjala për integrimin europian të Shqipërisë.
Pas dhënies së rekomandimit nga ana e Komisionit Europian për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kreu i shtetit, i qeverisë dhe Parlamentit kanë nisur përpjekjet për ratifikimin sa më të shpejt të këtij “dokumenti”, me të gjitha vendet anëtare.
Ndërkohë që lidershipi i PD jo vetëm që nuk e fsheh, por po mundohen që të bëjë një shfaqje cinike publike, të përpjekjeve të saj për bllokimin e negociatave, nëpërmjet një deputeti gjerman. Aq të ekzaltuar janë nga kjo mundësi, sa duken sikur kanë gjetur tek Gunther Krichbaum, pikën për të vendosur levën e tyre të Arkimedit, për të përmbysur të gjitha ëndrrat, përpjekjet dhe shpresat e 27 viteve me radhë të shqiptarëve.
Ndaj sot duket shumë e largët ajo ditë, kur më 12 qershor 2006 u firmos në Luksmeburg Marrëveshje e Stabilizim Asociimit mes Shqipërisë dhe BE, u ku delegacioni shqiptar udhëhiqej nga Kryeministri Berisha dhe pjesë e saj ishte edhe PS dhe LSI, atë kohë të dyja në opozitë. Kam patur fatin të isha pjesë e këtij momenti dhe ajo fotografi ku i gjithë spektri politik shqiptar po gëzohej njësoj, do të mbetet me sa duket thjeshtë kujtim i një kohe të shkuar, që do të na mungojë.


