Ka marë trajtë të qartë që në pesë ditët e para të 2019, skenari i opozitës ndaj mazhorancës qeverisëse, për vitin e ri politik. Ai pritet që të realizohet, duke u mbështetur mbi dy elementë kryesorë, të cilat në formën e dy anëve të një “sandwich”-i, synojnë që ta mbajnë të ngërthyer brenda tyre qeverinë, derisa ajo të dorëzohet. Synimi imediat i këtij skenari, duke se është çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të njëkohëshme si lokale ashtu edhe Parlamentare. Duke besuar se me dy gurë, do të vrasin të vetmin zog, që kanë marë në shenjë prej kohësh.
Elementi i parë i skenarit të opozitës, pra njëra anë e “sandwich”-it të saj politik përgjatë fillimit të këtij viti, është instrumentalizimi i protestës së studentëve që nisi në dhjetor, për ta mbajtur tensionin gjithnjë ndezur në auditore, rrugë e sheshe. Pra, jemi përpara një situate ku studentët i refuzuan në mënyrë katekorike liderët e opozitës, duke mos kërkuar politizimin e prostetës së tyre, që synonte në thelb zgjidhjen e halleve reale në universitete, të përmbledhura të gjitha në 8 pika. Këto kërkesa u plotësuan dhe u tejkaluan, nga vendimet e Këshillit të Ministrave e urdhërat e kryeministrit, të firmosura në fund të dhjetorit.
Duke parë që ky hap i jep fund “de facto” protestës studentore, opozita ka vrapuar që në orët e para të janarit, të flasë në emër të tyre duke e shpallur ajo vetë vijimin e tyre. Kjo jo vetëm e nxjerr zbuluar, të pafuqishme, shejtan-budallaqe, tinzare dhe grabitëse kauzash opozitën tonë, por njëkohësisht kjo dëmton edhe qëllimet e pastra të studentëve të vërtetë, që dolën në rrugë për të ngritur zërin dhe për të zgjidhur problemet e hallet tyre reale. Në këto kushte, edhe bufi e ka marë vesht tashmë se nuk kemi më një protestë të studentëve për nevojat e tyre, por një protestë të pastër politike të partive opozitare, të “kamufluar” prapa emrit të universiteteve dhe ligjit për arsimin e lartë.
Elementi i dytë i skenarit të ri të opozitës, pra ana tjetër e “sandwich”-it politik të 2019, është ajo nëpërmjet lojës së dekreteve për ministrat e rinj të qeverisë “Rama”, që nisi të luajë Presidenti i Republikës. Një lojë e Ilir Metës, e cila ishte paralajmëruar nga opozita se kështu do të ndodhte, disa ditë më parë. Kjo lojë e re, në fakt nuk është gjë tjetër, veçse një truk i vjetër tashmë.
Ndryshe nga herën e parë kur nuk dekretoi emërimin e Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm, këtë radhë kreu i shtetit pasi dekretoi shkarkimin e gjithë ministrave të propozuar nga Edi Rama duke lënë ende në detyrë, vetëm ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati. Shenjë e qartë se shënjestra për të mos u dekretuar këtë radhë, është ministri i ri i Jashtëm, Gent Caka. Presidenti ka edhe 6 ditë të tjëra kohë “për tu menduar” dhe ndoshta deri atëherë, do ta ketë gjetur rrugën drejt derës së hapur. Por nisur nga lajmet që vetë opozita përhap, ministri i ri i Jashtëm, duket se është piketuar për të qenë “molla” e rradhës, në “shportën e sherrit” Presidencë- Kryeministri.
Me këto dy elementë, pra nga njëra anë nëpërmjet protestave politike të të rinjve të opozitës që do të kërkojnë të vetshiten publikisht si studentët e vërtetë dhe nga ana tjetër, me bllokimin e dekretit për një ministër nga kreu i shtetit, të dyja anët e “sandwich”-it opozitar, duken tashmë të kompletuara. Nga njëra anë opozita drejton protestën në rrugë e nga ana tjetër, luan fijet e bllokimit artificial të dekretimit të ministrave të rinj të qeverisë, në institucione. Ndërsa vetë, do të dali nëpër konferenca shtypi nga selitë e partive, studiot televizive dhe nga salla e Parlamentit, për ti kërkuar qeverisë që të zgjidhi sa më parë hallet e “studentëve” dhe “krizën” e ministrave.
Këto janë me sa duket edhe dy faqet, dy anët e “simites” së “sandwich”-it të ri opozitar, me anë të të cilave synojnë që ta “kullufisin” në mes si ushqim për orekset e tyre politike, qeverinë dhe mazhorancën. Po ta mendosh si opozitar, nuk duket një skenar edhe aq i keq, kur mendon se në lojë është edhe Presidenti i Republikës. Nëse e mendon nga këndi i PS, të duket një lojë qesharake prej fëmijësh, nga ato që luheshin dikur nga mungesa e lodrave të sofistikuara. Nëse e sheh nga një kënd tjetër, pyetja naïve që mund të bëhet është: Mirë paninen e gjatë e paskeni në dorë tashmë, po “proshutën” ku do ta gjeni? Sepse tani ka ardhur një kohë që edhe dasma pa mish mund të bëhen, por një “sandwich” pa proshutë, nuk ta blen më njeri!