Klasës politike dhe shoqërisë kosovare i janë dashur plot tri vjet për të kuptuar ndoshta thelbin e ndryshimit mes sakrificave të panumërta në robëri, për tu disintegruar nga ish- Jugosllavia e për tu bërë një shtet i pavarur nga Serbia. Dhe përpjekjeve në liri, për tu integruar çdo ditë e më tepër, duke u bërë në këtë mënyrë, gjithnjë e më “të varur” nga Europa.
Që të jesh një shtet i ri e i pavarur, veç lirisë, fiton edhe të drejtën e vetëqeverisjes dhe shtetformimit modern. Duke patur detyrimin për të ushtruar të gjitha rregullat e bashkëjetesës ndëretnike, krahas forcimit të elementëve identitarë kombëtar.
Ndërsa që të integrohesh, do të thotë që të jesh i lirë të zgjedhësh për të lëshuar me dëshirë, një pjesë të sovranitetit tënd dhe të zbatosh edhe kur nuk të pëlqejnë, një sërë rregullash të një lojë të përbashkët. Rregulla të cilat të lejojnë më pas, që të jesh pjesë e një familje shumë më të madhe, sesa aktualisht brenda kufijve të tu konvencionalë. E të gjitha këto, për hir të disa përfitimeve të tjera më të mëdha, si; lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave, investimet, fondet e zhvillimit, standardet, futja brenda një çadre më të madhe e të përbashkët të sigurisë globale e rajonale, e kështu me radhë.
Ratifikimi në Parlamentin e Kosovës i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, ishte një proces që zgjati tre vjet dhe u shoqërua me konflikte të shumta. Ai ishte një kusht i Bashkimit Europian që duhej plotësuar nga Prishtina zyrtare, përpara realizimit të procesit të liberalizimit të vizave.
Me qytetarët e Kosovës ka ndodhur një metamorfozë e çuditshme, por që futet pikërisht tek çmimi i lartë që duhet paguar për lirinë e vërtetë. Nën Jugosllavi, pasaporta e tyre ishte dokumenti më me vlerë mes shqiptarëve të Ballkanit. Një pasaportë që u dha mundësinë e lëvizjes së lirë që në vitet ’70 për të udhëtuar nëpër Europë për turizëm e biznes, e për të nisur flukset e para të emigrimit të rregullt pas Luftës së Dytë Botërore, në perëndim.
Ndërsa sot, pas mbi gjysëm shekulli në vend që të forcohej sipas rregullave të logjikës, pasaporta e qytetarëve të shtetit të Kosovës është ajo me më pak vlerë. E ta mendosh se Kosova është i vetmi vend i Ballkanit Perendimor që nuk e ka arritur ende të firmosi marrëveshjen e të përfitojë nga procesi i liberalizimit të vizave në hapësirën Shengen. Për rrjedhojë janë rreth 5 000 qytetarë shqiptarë në një vit, që e lënë pasaportën e Kosovës për arësye pragmatiste, për pasaportat e shteteve të tjera, përfshi edhe për atë të Shqipërisë.
Në qershor Kosova pret që Komisioni Europian të japë rekomandimin për lëvizjen e lirë e pa viza të qytetarëve të vet. Shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini e përshëndeti ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, duke shkruar në twitter: Lajme të mira nga Prishtina, Kosova po bëhet gati që qytetarët e saj të udhëtojnë drejt Europës pa viza.
Bashkë me dhënien e 80 votave për ratifikimin e marrëveshjes së kufirit me Malin e Zi, klasa politike në Prishtinë, shijoi edhe anën e hidhur të të bërit “më pak shqiptar” për të qenë “pak më shumë europian”.
Për Kosovën ka ngushëllim gjithësesi. Shqipëria pret të ulet për kufirin e vet me Greqinë. Kroacia dhe Sllovenia janë ende në një spirale konfliktesh të herëpashershme për të njëjtën çështje. Ashtu si edhe Bullgaria dhe Rumania. Greqia dhe Maqedonia janë duke negociuar prej vitesh për ështjen e emrit.
Ndaj kur i sheh të gjitha këto, kupton se ashtu si një prift nuk resht së bëri i tillë sa më shumë ti përkushtohet Zotit, edhe ne qytetarët e këtij kontintenti nuk reshtim kurrë së integruari, sa më shumë që i përkushtohemi “fesë” sonë të re: Bashkimit Europian.


