Mjafton që të kesh ndjekur qoftë edhe përciptas lajmet rreth atij që media e ka cilësuar si atentat mafioz ndaj Devi Kasmit, 42 vjeçarit të vrarë të hënën e kësaj jave në Tiranë, për të parë të materilizuar atë që deri dje të gjithë e kemi patur si perceptim kolektiv. Faktin, se krimi shqiptar jo vetëm që operon në hapësirën e BE, por tashmë duket i integruar plotësisht me botën e errët të nëntokës në perëndim. Deri në atë pikë, sa tani jo vetëm eksportojmë krim, por edhe importojmë prej tyre. Duke bërë jo vetëm punëtorin apo sindikalistin e krimit për shkumë kohë, por tashmë duke u ngjitur edhe në pozicionin e punëdhënësit dhe të bosit.
Kjo pozitë dhe ky raport, ia ka bërë edhe më të lehtë jetën kriminelëve shqiptarë, që të integrohen shpejt në rrjetet ndërkombëtare të trafiqeve të lëndëve narkotike, armëve, prostitucionit dhe trafikut të qenieve njerëzore, basteve ilegale, etj. Sikundër, edhe në rrjetet e kontrabandës, të kontrollit të territoreve, të ndërmjetësimit dhe negocimit për projekte të reja të “tregtëtisë së madhe” të paligjshme. Duke krijuar një marrëdhënie reciproke bashkëpunimi me grupe dhe etnitete të tjera. Kjo ia lehtëson edhe më shumë punën me sa duket, kapove shqiptarë apo individëve që kanë nevojë here pas here, edhe për blerje armësh të sofistikuara, infrastrukturë dhe teknologji, për logjistikë mbështetëse dhe vrasës profesionistë.
Prapa atentati fshihej një konflik mes Devi Kasmit e Domart Konjarit, i cili sipas policisë e medias, kishte lindur për shkak të luftës për kontrollin e territorit për shpërndarjen e lëndëve narkotike. Një konflikt që paska nisur fillimisht në Spanjë, atje ku ata jetonin dhe punonin të dy si emigrantë. E më pas, e gjitha ka vijuar si një përplasje që ka detyruar njërin prej tyre që të spostohej e të luftonte për të kontrolluar territore të reja “tregëtie” në Francë. Një konflikt që ka vijuar herë në njërin e herë në tjetrin shtet, për tu zhvendosur herë pas here edhe në territorin e Shqipërisë, kur njëri apo tjetri rikthehej herë pas here, e kohë pas kohe.
E në një nga këto rikthime, është thirrur një vrasës profesionist me pagesë nga Greqia, Eftimius Eftimius, i cili paskësh qenë një ish punonjës i forcave speciale helene për 20 vjet me radhë. Edhe ai del i implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës, çka e ka nxjerrë edhe jashtë strukturës së rëndësishme ku punonte. Përfshirja edhe e killerit grek në këtë histori, e ndërkombëtarizon edhe më shumë çështjen, duke e bërë atë shumë “europiane”. E cila nis në Athinë, për të vijuar në Tiranë, për të vrapuar në Paris derisa sa ndalet në Madrid. E gjithë kjo hapësirë sa gjysma e Europës, duket se e rrok për ta bërë shumë më të prekshme, atë që deri dje e kishim lexuar nëpër intervistat apo librat me Falkonen e Borselinon.
Kjo dosje mund të shërbejë fare mirë nesër, si një kazus, si një model apo shembull klasik për tu studiuar nga studentët e jurispudencës apo kriminologjisë dhe shkollës së policisë, për të treguar sesi krimi në përgjithësi dhe ai shqiptar në veçanti në këtë rast, nuk njeh më as kufij, as gjuhë, as shtete, as territor dhe as dogana. Sepse ai është integruar tashmë plotësisht në Europë dhe ndihet i barabartë dhe i denjë për të qenë i njëjtë, si edhe të gjithë të singjashmit e vet të tjerë.
Tani që jemi siguruar edhe me fakte e prova konkrete se bota e nëndheshme duket e integruar plotësisht, atëherë nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të bëjmë gjithçka për të përshpejtuar proceset tona integruese edhe si shtet dhe si shoqëri. Në mënyrë që edhe kjo botë e mbidheshme, e ligjit, e rregullave, e normave, e standardeve shoqërore e demokratike, të bëhet pjesë e institucioneve dhe e vlerave të përbashkëta europiane. Si një mundësi jetike, për të bashkuar të gjitha forcat, energjitë dhe mundësitë, për ta luftuar sëbashku me gjithë pjesëtarët e tjerë të familjes së madhe europiane, antiligjin që nesër mund të vrasë prespektivat dhe shpresat e të ardhmes sonë të përbashkët.