Ka një qasje tipike në sjelljen e lidershipit të opozitës së rrugës që e bën atë sa të pabesueshme, aq edhe qesharake. Duke gjeneruar publikisht të kundërtën e asaj që më së shumti shoqëria shqiptare prêt prej saj.
Një qasje që në vend të frymëzojë, i demoralizon ndjekësit dhe përkrahësit e vet.
Në vend që ti shtojë, i pakëson çdo ditë e më tepër rradhët e opozitarëve të vërtetë.
Në vend që të injektojë e përhapë frymën e besimit, i bën njerëzit që ta shohin të ardhmen, nën optikën e mosbesimit.
Në vend që të ngjizë erën e ndryshimit, lidershipi i opozitës po rrit çdo ditë, mitin e pathyeshmërisë së Edi Ramës dhe qëndrimit të gjatë të Partisë Socialiste në pushtet.
Për ta dalluar këtë, mjafton që të shohim thjeshtë dhe vetëm një aspekt të qëndrimeve dhe raporteve të lidershipit të “Opozitës së Bashkuar”; me ndërkombëtarët. Besoj se gjithkush e mban mend sesi Sali Berisha, Lulzim Basha, Ilir Meta e Monika Kryemadhi dhe të gjitha mediat e opinionistët pranë tyre, i anatemuan ndërkombëtarët përpara 30 Qershorit. Sesi kërkonin që të mos i dëgjonim. Të mos i besonim. Të mos i pranonim. Të mos i vlerësonim. Përkundrazi!
Pasi ishte përcaktuar prej tyre armiku i brendshëm, i cili ishte padyshim Kryeministri Edi Rama që duhet të ikte me çdo çmim, ata nisën e na treguan me gisht edhe armikun e jashtëm. E ato ishin SHBA, BE dhe përfaqësuesit e tyre në Shqipëri. Por që kjo të bëhej akoma edhe më e besueshme, skenari duhej lyer e mbështjellë, edhe me një tis misteri. Ndaj, u rithirrën në ndihmë teoritë e vjetra konspirative me Soros e sorosianë dhe interesat okulte të fuqive të padukshme, e deri tek mafia ndërkombëtare në bashkëpunim me atë vendase.
Por, as kjo e as dalja nga sistemi politik e demokratik i vendit, nuk e ndihmuan projektin opozitar për të ndalur procesin zgjedhor dhe për ta bllokuar e zhbërë më pas, reformën në drejtësi. Pushimet mbaruan. Shtatori erdhi. E bashkë me të, edhe sezoni i ri politik në Shqipëri.
E si për çudinë e opozitarëve, lidershipi i tyre mezi po prêt që të takojë çdo ndërkombëtar të rëndësishëm e më pak të rëndësishëm, që vjen apo pritet të vijë në Tiranë. Mjafton që ta shihni këtë, në portretin e dëshpëruar të Presidentit të Republikës në detyrë Ilir Meta. Të cilit i është lidhur gjuha në 48 orët e fundit. Pasi Drejtori i ri për Europën Qëndrore dhe Jugore në Departamentin Amerikan të Shtetit, Dave Kostelancik i takoi gjithë faktorët politikë në Tiranë, përveç atij.
Pas kësaj, liderët e opozitës sonë rrugore u mblodhën në SHQUP për të përcaktuar axhendën e re të aksionit të tyre politik. Por çuditërisht, atë e kondicionuan me ardhjen dhe takimin më parë të një aktori politik ndërkombëtar. Mediat raportuan se “protestat e opozitës nuk do të nisin përpara datës 16 shtator, ditë kur pritet që Tiranën ta vizitojë zv/kryetari i grupit parlamentar të CDU/CSU, Johann David Wadephul. Zyrtari i CDU/CSU shihet nga opozitarët si dritë shprese për zgjidhjen e krizës politike.”
Sipas tyre “Wadephul është më i fundit zyrtar europian që do të synojë arritjen e një kompromisi për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri. Pas tij Tiranën do e vizitojë Roberto Montella, sekretar i Përgjithshem i Asamblesë Parlamentare të OSBE. Ashtu siç ka konfirmuar edhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu, nga OSBE ka patur më parë një tentativë për të ulur palët në tryezë, por ajo dështoi.”
Siç edhe shihet opozita e ka të qartë më në fund, se rikthimi i tyre në sistemin demokratik të vendit dhe riintegrimi në jetën politike e institucionale, nuk kalon as nga rruga. As nga ultimatumet. As nga bojkoti. As nga protestat. As nga shpikja e armiqve imagjinarë. E as nga skenaret që do ti kishin zili edhe regjizorët e Hollivudit.
E ardhmja e opozitës kalon nga rruga e arësyes, nëpërmjet uljes në tryezën e madhe të dialogut pa kushte, përballë mazhorancës legjitime të këtij vendi. Qoftë edhe me ndërmjetësinë e ndërkombëtarëve. Të cilët deri dje ata i mallkuan. Ndërsa sot po luten që tu vijnë, duke i mbajtur sytë nga qielli…, i Rinasit!