Lajmi për një nga çështjet më të zhurmshme politike të këtij viti, ajo e emërimit të ministrit të ri të Brendshëm, në momentin që vendimi më në fund u formalizua, kaloi më në heshtje se çdo të kalonte edhe aksidenti më i rëndomtë, ndër ato dhjetra që ndodhin çdo ditë rrugëve të Shqipërisë. Sipas nenit 99 të Kushtetutës, para fillimit zyrtar të detyrës për të cilën u votua të enjten në Parlament, Sandër Lleshi u betua përpara Presidentit të Republikës. Për këtë u zhvillua ceremonia zyrtare, ku kishte aq shumë entuziazëm sa edhe për të duartokitur, siç u pa nga sekuencat filmike të transmetuara, të pranishmit do të duhej “të detyroheshin” nga z. Meta.
Po përse në Shqipërinë tonë, për të shkuar në një ceremoni të zakonshme si kjo, gjithçka duhet të nisi aq zhurmshëm a thua se bota do përmbyset dhe më pas, gjithçka përfundon në një heshtje mortore si për të përcjellë në botën tjetër, të keqen më të padëmshme të kësaj jete?
Përse duhet ngujuar opozita për tri muaj më radhë në mes të bulevardit në çadër, me betimet më të “ububujshme” dhe brenda pak orësh, gjithçka të përfundoi me një marrëveshje, ku të nesërmen Republika e re ishte harruar sikur të mos ish përmendur kurrë?
Përse i duhej vënë “flaka” Parlamentit për shkarkimin e Adriatik Lllallës, kur më pas Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste Integrim do të hynin në garë, kush e kush të distancohej më parë, sapo ndaj tij Prokuroria e Përgjithshme të ngrinte akuzat më të rënda?
Përse opozita jonë politizon çdo shqetësim qytetar, që nga protesta e banorëve të Kukësit për traun e rrugës së Kombit e deri tek projekti për zgjerimin e unazës së madhe të Tiranës, dhe në fund as nuk i kujton sa të tilla ka nisur dhe i ka harruar rrugës, nga nxitimi për politizuar hallin qytetar të radhës?
Përse opozita jonë përbetohet se Fatmir Xhafaj do të kalonte veç mbi trupat e saj për të hyrë në ministrinë e Brendshme dhe pasi ai dha dorëheqjen, u shtrinë vërtetë nëpër banaqet televizive, por këtë radhë për të mos e lënë që të dilte aq shpejt nga zyra?
Përse opozita jonë proteston me të njëjtin zell e zhurmë edhe për ndërtimin e këndit të lodrave tek Liqeni, edhe për stadiumin, edhe për Pazarin e Ri, edhe për sheshin Skënderbej, edhe tek Shqiponja dhe pasi e ka kafshuar mollën e sherrit të rradhës, harron gjithmonë që ta lajë njëherë në fillim?
E njëjta skenë u përsërit nga opozita jonë, edhe tek Babalja, edhe tek Sandër Lleshi, edhe tek “Astiri” dhe kudo tjetër ku herë del një përgjim, e herë përmendet një emër, herë fabrikohet një lajm dhe sa herë që lajmi bëhet fabrikë?
Mjafton që të shihni sesi po e menaxhon aksionin e saj politik të radhës opozita jonë, duke i marë protestën banorëve të unazës së re në Tiranë, për të kuptuar filozofinë e saj. Një filozofi tipike që e bazon luftën për pushtet, projektin e saj politik për të ardhmen, jo tek një strategji e qartë, tek një program i madh alternativ për të cilin lufton dhe punon çdo ditë, derisa nëpërmjet tij të krijojë frymën e ndryshimit të pushtetit, për ta marë atë më pas me votë, ditën e zgjedhjeve. Kjo është filozofia tipike që bazohet vetëm tek kultura e improvizimit; kurdo, në çdo gjë dhe pambarimisht.
Përse ndodh e gjitha kjo do të thoni ju? Eshtë fare e thjeshtë për ti dhënë një përgjigje. E gjitha kjo ndodh sepse opozita jonë ka 6 vjet që “ka një kauz, që të kërkojë një kauz”! Ndaj, të gjitha që ka nisur deri më sot, i dështojnë. Për të përfunduar në heshtjen e harresës, si edhe ceremonia e betimit të ministrit të ri të Brendshëm të Shqipërisë.


