Duhet të pranojmë se në Shqipëri, ekziston një kulturë, frymë apo një sport kombëtar nëse doni, i cili quhet antiopozitarizëm. Një fenomen që yshtet nga pushteti, ushqehet nga mediat pranë tyre dhe mbajet gjallë nga konformistët e përjetshëm. Derisa nis e vijon më pas si një diskutim apo debat kombëtar, për shkak se mer në këtë mënyrë, fizionominë e një tendence që kush nuk e ndjek, duket si démodé.
E ushqen këtë trend, ndoshta edhe një dimension i kulturës sonë të përgjithshme kombëtare, ku për shkak të historisë kemi një prirje që të bëhemi në përgjithësi me më të fortin, kundër më të dobtit. Me të pasurin, kundër të varfërit. Me pushtetin, përpara alternativës së qeverisjes. Me forcën, kundër arsyes. Me atë që mund të na sigurojë një vezë sot, sesa me atë që mund të na ofrojë një pulë mot. Me shefin e mazhorancës, sesa me atë të minorancës. Me qeverinë, kundër opozitës. Me kryeministrin, përpara kandidatit për Kryeministër.
Ka ndodhur shpeshherë kjo në Shqipëri, sa herë që PD ka qenë në opozitë dhe sa herë që PS i ka zënë vendin duke bërë rrokadë në qeverisjen e vendit. Por edhe LSI dhe partitë e tjera më minore se ajo, e kanë ndjerë sa herë që janë ndërruar kuajt e karrocës së pushtetit dhe i është dashur që të bëjnë ca vite rrugë në këmbë, derisa janë rikthyer apo presin të ringjiten sërisht, mbi karrocë.
Ka disa javë në mos më tepër, që në Shqipëri ka nisur një debat që sa vjen e bëhet më serioz, më i zëshëm e ku në të po përfshihen zëra gjithnjë e më autoritarë dhe kontributorë, në lidhje me kryetarin e PD. Thelbi i debatit mund të përmblidhet jo më nëse duhet të iki z. Basha nga kreu i PD, por se kush duhet apo mund ta zëvendësojë atë. Çka do të thotë, se avancimi deri në këtë pikë, e ka çuar debatin përtej një diskutimi nga ato që zgjasin sa flakët e një mullari kashte.
Të përfshirë në këtë diskutim janë ish themelues të PD, ish ministra të saj, ish deputetë, njerëz me kontribute të mëdha e të shquara ndër vite. Ka që kanë sigurisht interesa personale, hatërmbetje e mërira, por edhe shumë të tjerë që nuk kanë asnjë interes personal, por duket se nisen nga pozita e atij që ia do realisht të mirën PD, për shkak të historisë së personale. Emri i Sali Berishës është përmendur shumë më shpesh për arësyet nga më të kuptueshmet, si alternativë për tu rikthyer sërisht në krye të partisë. Duke e parë atë si më të mundshmin për ta drejtuar PD nëpërmjet procesit të bashkimit të të gjitha grupeve, fraksioneve e të pakënaqurve.
Për Besnik Mustafajn dhe Neritan Cekën, dy nga themeluesit dhe kontributorët kryesorë për PD e viteve ’90, rikthimi i Berishës nuk është zgjidhje. Ceka shkon më tej kur thotë se Jorida Tabaku mund të jetë modeli rreth të cilit duhet të bashkohen demokratët dhe opozitarët për të ndezur shpresën e rikthimit të shpejtë në pushtetet. Ka zëra të tjerë që nuk e shohin Berishën si alternativë dhe duan që pasaardhësi i Bashës të përfaqësojë edhe sensibilitetet e tjera, përfshi ata që nuk kanë qenë kurrë pjesë e PD, por që ndihen të djathtë apo në opozitë me qeverinë e majtë.
E parë nga ky këndvështrim, duket qartë se në këtë rast, nuk kemi të bëjmë me rikthimin ciklik të modës së antiopozitarizmit në Shqipëri. Por, me një hall real që duket se ka opozita dhe opozitarët, PD dhe demokratët e vërtetë. Se si do të zgjidhet ai, atë e dinë më mirë, sigurisht të gjithë ata që e kanë këtë ndjeshmëri dhe janë pjesë e vendimarrjes. Një gjë duket që te jetë e qartë që tani. Më shumë sesa dëshira qaramane e disa opozitarëve të pakënaqur e të inatosur, ky diskutim po mer pa e kuptuar as opinioni publik vetë, trajtën e një problemi që kërkon zgjidhje.