“ALBANIAN GAME OF THRONES”/ (Sezoni 3, Episodi 7)
Bashkëbisedimi i Ilir Metës me “Këshilltarin” për 30 Qershorin!
Nga ALFRED PEZA
Ata kishin dy zakone të përbashkëta; të largoheshin sa më shumë nga kryeqyteti, atëherë kur presioni bëhej gjithnjë e më i lartë mbi ta; dhe të ngjiteshin sa më lart nëpër mejmalesh, për tu afruar me Zotin, në kompensim të mungesës së besimit brenda vetes, tek Ai. Me siguri që ka qenë kjo edhe pikënisja, për të qenë kaq shumë pranë njëri tjetrit.
Pas takimit me “5 Mbretërit” e “Botës shqiptare në Ballkan”, ata u nisën menjëherë mes alpeve, në një udhëtim që më shumë shërbente për tiu larguar fushës së errët magnetike të stresit, përpara fillimit të “Luftës së Madhe”. Kishte momente që dukej sikur ajo po i thithte në një vrimë të errët në momentet kur kjo fushë e zezë sa vinte e dendësohej e dendësohej rreth e rrotull tyre nga intrigat, thashethemet, skemat, planet, kurthet, spiunimet, tradhëtitë, zhdukjet e kundërshtarëve, loja e dyfishtë dhe e shumëfishte.
Rrugës pasi ishin larguar aq shumë sa ndjenin se ia kishin dalë edhe këtë herë që të shpëtonin nga ai kurth që rrethon ata pak njerëz që jetojnë e punojnë nën një stres të tillë vrasës, fillonin të ndijeheshin pak e nga pak, të rilindur. Gati gati si kufoma bosh në formë balonash filimisht, të cilat nga mungesa e peshës dhe gravitetit, ishin gati tashmë të nisnin fluturimin e tyre mbi dy këmbët e veshura enkas për alpinizëm, drejt majave më të larta.
“Çfarë hanë dragonjtë?”,- e nisi lojën i pari “Mbreti”. “Çfarë të duan”,- ia ktheu “Këshilltari”, duke dëshmuar se të dy tashmë ishin në gjendje që të vijonin pa u ndalur, “retreat”-in e tyre. Ngase mund të ishte e fundit përpara ardhjes së dimrit dhe fillimit të “Luftës së Madhe”, ndjenin në ajër se dëshironin ta shijonin e shfrytëzonin atë në maksimum, si kurrë më parë.
“Thika pas shpine nuk të përgatit për luftë… Edhe pse kjo është gjithçka për të cilën bëhet fjalë në Mbretëri tani”,- tha “Këshilltari” i cili vetëm në piknik ishte here here “Mbreti” ashtu si edhe “Mbreti”, bëhej “Keshilltari”. Ishte një lojë e vjetër mes tyre, që kishte zëvendësuar atë të Sali Berishës në fillimet e tij si “Mbret” kur ishte bërë gazi i botës, pasi u mësua se përgatitej duke i lexuar fjalimet që do mbante përpara qytetarëve, përballë pasqyrës. “Mbreti” dhe “Këshilltari” ishin pasqyra dhe figura reale e njëri tjetrit.
“Mendon se je shumë i mire dhe i nderuar për këtë gjë?”,- ia ktheu “Mbreti” sfidant. “Kjo është një LUFTË”,- ia ktheu me një natyrshmëri prej “Mbreti” të vërtetë, “Këshilltari”. “Kam një vend të veçantë në zemrën time për bastardët, torturat dhe gjërat e thyera”,- ia ktheu “Mbretit”.
Pavarësisht të gjithave, “Këshilltari” kishte kuptuar pakënaqësitë e Sali Berishës, Monika Kryemadhit e Lulzim Bashës ndaj tij. Ndaj mendoi se ky ishte momenti për tia thënë troç atë që atë dhe të tjerë prisnin prej tij. Vetë kështu “Lufta e Madhe” e 30 Qershorit, do arrinte që tia hiqte gurin e themelit “kështjellës” se Edi Ramës, derisa ditë pas dite edhe gurët e tjerë të saj, të nisnin e të binin një e nga një. Ky efekt ortek, do të merte më pas përpara ushtrinë, gjeneralët, komandantët, “Mjeshtrat”, oborrtarët dhe në fund edhe Fronin e tij të Shpatave.
“Kam nevojë që tit ë bëhesh njeriu që duhet të jesh. Jo vitin tjetër, jo nesër… Sot”,- tha “Këshilltari” me një zë që dukej sikur po vinte nga jashtë sistemit tonë diellor. Ky ishte moment kur “Mbreti” e ndjeu se kishin mbërritur në lartësinë më të afërt me Zotin në qiell. “Më thuaj diçka “Këshilltar”… Kujt i shërben ti në të vërtetë?”- pyeti “Mbreti” duke e parë për herë të parë sy më sy, aq afër sa nëse dikush do ti shihte nga pllaja aty pranë, do ti dukeshin sikur sapo nisën të bënin dashuri.
“Mbretërisë Zotëri. Dikush duhet ta bëjë!”- ia ktheu “Këshilltari” pa iu dridhur as bebja e syrit dhe as qerpiku. Ndaj duke u larguar paksa me elegancë, vijoi: Ishte bukur kur të këshilloja atëherë kur ishe mbi “Fronin e shpatave” dhe gjithë nisën të kuptonin se kush ishte në të vërtetë, Zotëri.” “E shkuara ka ikur përgjithmonë. Mund të rrish këtu ta qash… ose të përgatitesh për të ardhmen”,- ia ktheu Mbreti dhe filloi të hidhej rreth e rrotull një lëndine sa disa tavolina bashkë, si për ti thënë se kishte ardhur ora fatlume, që të beheshin komplet fëmijë tani.
Çfarë loje do të luajmë sot, e pyeti “Këshilltari” pasi e ndoqi me kollotumba mbi borën që ishte ende pa shkrirë në një gropë të madhe aty pranë. “Mbreti bën mutin dhe këshilltari e pastron”,- ia ktheu Ilir Meta, si në “Game of Thrones”, duke ia dhënë vrapit me të katra drejt tij, për ta qëlluar sa mundej me topa bore…
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
E MARTË, 28 MAJ 2019
(Vijon nga 1 maj)


