“ALBANIAN GAME OF THRONES”/ (Sezoni 4, Episodi 5)
“Arma sekrete e Edi Ramës, për të mbajtur gjatë “Fronin e Shpatave!”
Nga ALFRED PEZA
Kur “Mjeshtrja” e “Mbretit” të sfidues të “Fronit të Shpatave” u njoh me strategjinë e re të Edi Ramës dhe Hashim Thaçit për “Luftën e Madhe” të 30 qershorit, kuptoi se “Dimri kishte ardhur”. Nuk e kishte besuar kurrë që aftësia e tyre të kapërcente çdo limit, për të kapur me lehtësinë e papërballueshme të thjeshtësisë më të madhe, thelbin e njërës prej situatave më të ndërlikuara të historisë së “Mbretërisë shqiptare në Ballkan”.
Ajo përsëriti disa herë fjalinë që “Kryemjeshtri” kishte thënë në fund të takimit me drejtuesit e dy oborreve të “fronmbajtësve” në Prishtinë: “Njerëzit janë të uritur për më shumë se ushqimi. Ata duan diçka tjetër, që ti shpërqëndrojë. Nëse ne nuk ua japim, ata do të krijojnë të tyren. E kështu, këto krijime të tyre, mund të jenë fundi jonë”.
Kampi tjetër e kishte kuptuar se ku ndodhej “Thembra e Akilit” e “5 Mbretërve” sfidantë. E kishin lexuar dhe përkthyer sikur të ishin në mëndjen e tyre. E kishin kuptuar se ku e kishin pikën e dobët. Ndaj, ishin aq të qetë. “Lufta e Madhe” në thelb nuk ishte lufta për “Fronin e Shpatave”. Sepse, ajo nuk do merrej më kurrë me armë, në këtë vend. Fatin e saj prej 30 vjetësh e kishin vendosur shqiptarët me zgjedhje. Me votë. Pushkët ishin zëvendësuar me stilolapsat. Uniformat me pasaporta dhe karta identiteti. Ndërsa llogoret, me kuti votimi.
Frika e vetme e “5 Mbretërve” sfidues, ishte sheshi. Luftrat e tyre, bëhej vetëm për sheshin. Sheshi dhe monopoli mbi të, ishte e vetmja pasuri legjitime e siduesve për “Fronin e Shpatave”, në “Mbretërinë shqiptare të Perëndimit”. Edi Rama ia kishte kuptuar dobësinë. Armiqtë e tij nuk dilnin herë në protesta, herë në mosbindje civile, herë në demostrata, herë në greva, herë në revolucione e herë në luftra, se donin që ta rrëzonin atë. Jo. Jo. Dhe vetëm Jo. Ata e besonin vertëtë atë që u kishte thënë Ilir Meta. Se Edi Rama luste natë e ditë, që ata të shkonin pak më tej dhe të tentonin vërtetë që ta rrëzonin me mjetet e “Luftës së Madhe”.
Ata i trembeshin diçkaje tjetër. Shumë më e vogël. Shumë më e padukshme. Shumë më e rafinuar. Shumë më e sofistikuar. Shumë më e rrezikshme. Shumë më shfarosëse. Shumë më vrastare se çdo gjë tjetër për ta dhe për shpresat e tyre, për tu rikthyer një ditë, mbi “Fronin e Shpatave”. Ishte një armë që Edi Rama nuk e hiqte kurrë nga dora. Për të cilën deri dje e kishin tallur. E kishin qeshur. Nënqeshur. Përqeshur. E kishin përbuzur. Pa ju përveshur. E ai, atëherë kur askush nuk e priste, ua kishte ngjeshur! Të gjithëve. Duke e fituar i vetëm si kurrë më parë, “Fronin e Shpatave”.
Ai kishte një armë sekrete, nga ato që kishin nxjerrë jashtë loje, edhe armët më shkatërrimtare të Mbretërive të tjera kudo nëpër botë. Edi Rama e kishte kuptuar i pari se në këtë epokë, “njerëzit ishin të uritur, për më shumë se ushqimi”. Ata donin të ishin të lirë. Liria u kishte munguar më shumë se buka. Historikisht. Ata i kishin fituar përjetësisht të gjitha betejat dhe luftrat e tyre.
Shqiptarët e kishin fituar luftën me urinë në të gjitha dimensioned e saj edhe përtej urisë ushqimore. E kishin fituar lufën me Kanunin. Me ligjet. Me rregullat. Me ushtritë vendase. Me ushtritë e huaja. Me të ftohtin. Me të nxehtin. Me analfabetizmin. Me ateizmin. Me malarjen. Me mushkonjat. Me mbylljen. Me izolimin. Me sëmundjet. Me injorancën. Me kulturën. Me hapjen. Me modën. Me udhëtimet. Me gjithçka tjetër.
Por u mungonte diçka që askush as nuk ia kishte plotësuar e as që e kuptonin se sa shumë i mundonte. Edi Rama e kishte kuptuar i pari këtë. Ndaj, i përgjigjej gjithkujt. Edhe natën. Edhe ditën. Edhe kur e shanin. Edhe kur e lavdëronin. Edhe kur e kuptonin. Edhe kur pothuajse gjithmonë e keqkuptonin. Edi Rama prandaj zgjidhej prej tyre. Sepse ai ishte njëri prej tyre në versionin invers. Një atipik i madh. Një i keqkuptuar i përjetshëm. Që u shndërrua në të vetmin, që ishte në gjendje që ti kuptonte gjithë të tjerët, më mirë sesa ata, veten e tyre!
Shqiptarët kishin nevojë për diçka që i kishte munguar, që u mungonte e që nuk donin që tu mungonte më kurrë. Ata donin që të begeniseshin. Donin të dëgjoheshin. Donin të flisnin. Donin të mereshin në konsideratë. Donin të kuptonin se jo vetëm ekzistonin. Jo vetëm jetonin. Por edhe mernin përgjigje. Qoftë edhe negative. Edhe nëse nuk i zgjidhej halli, ata donin ta ndjenin që më në fund, se dikush ia kishte qarë atë. Dhe imagjino, nëse ua zgjidhte. Donin që dikush ti dëgjonte. E kishin jetike. U duhej si dioksidi i karbonit. E kishin nevojë ekzistenciale.
Kur “Mjeshtrja” ia tregoi këtë Ilir Metës në prag të “Luftës së Madhe”, ai u bë gati që ta vriste, me dorën e tij: “Po ti a e dije për këtë gjë? Sepse nëse jo, je një idiote. Por nëse e dije dhe sma ke thënë, atëherë je armikja ime”,- iu hakërrye ai. Por, ajo që e njihte më mirë se kushdo tjetër në këtë Mbretëri, iu kthye sikur të mos e kishte dëgjuar fare: “Ke zgjedhur errësirën Imzot! Do lutem për Ju.”
Kaq edhe për sonte…
Ju çoj të fala të gjithëve!
E MËRKURË, 5 QERSHOR 2019
(Vijon nga 1 maj)


