Hezbollahu ka gjuajtur një breshëri raketash në Izraelin qendror më 22 tetor, duke nxitur lëshimin e sirenave paralajmëruese për sulme ajrore në shumicën e pjesëve të banuara në Izrael.
Megjithatë, sulmet e Hezbollahut – grupit militant dhe partisë politike që kontrollon shumicën e Libanit jugor – duket se nuk kanë shkaktuar dëme apo viktima.
Ushtria izraelite tha se pesë predha u lëshuan nga Libani drejt Izraelit, duke shtuar se shumica e tyre u penguan nga sistemet e mbrojtjes ajrore të Izraelit, ndërkaq një raketë ra në një hapësirë të pabanuar.
Më 22 tetor, Hezbollahu tha se ka lëshuar raketa ndaj në dy bazave kyçe afër Tel Avivit dhe një baze detare në perëndim të Haifës.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është zotuar se do të zhdukë Hamasin dhe do të kthejë dhjetëra pengje që mbahen nga grupi. Hamasi ka thënë se pengjet do të lirohen kur të arrihet një armëpushim afatgjatë dhe kur Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza dhe të lirohen të burgosurit palestinezë.
Lufta në Gazë nisi pasi Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë gjatë sulmit të 7 tetorit. Që atëherë, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 42.000 palestinezë.
Që kur ka nisur lufta në Gazë, Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në kufi. Por, në fillim të tetorit situata u përshkallëzua dhe Izraeli njoftoi për nisjen e një operacioni tokësor në jug të Libanit kundër Hezbollahut./REL


