jë agjenci e Bashkimit Europian ka paralajmëruar se kontinenti mund të përballet me një nga sezonet më të rënda të zjarreve pyjore në histori, ndërsa rreziku pritet të rritet ndjeshëm në fillim të muajit gusht.
Alarmi vjen në një kohë kur zjarret vazhdojnë të përhapen në disa vende europiane, ndërsa vdekja e dy zjarrfikësve gjatë një zjarri në Rethymno të Greqisë ka tërhequr vëmendjen ndërkombëtare.
Sipas Sky News, shqetësimet po shtohen se vatra të reja zjarri mund të shpërthejnë në Greqi, Itali dhe Europën Qendrore në ditët në vijim. Maria Zoubert, drejtoreshë e Qendrës së Koordinimit të Reagimit ndaj Emergjencave të BE-së (ERCC), tha se situata mbetet “shumë e vështirë”, veçanërisht për Francën.
Ajo paralajmëroi se nëse zjarret aktuale në Portugali dhe Spanjë nuk vihen nën kontroll, fillimi i gushtit mund të shënojë një përshkallëzim të krizës në të gjithë kontinentin.
Zoubert deklaroi se viti 2026 mund të shndërrohet në sezonin më të rëndë të zjarreve pyjore në historinë e Europës, duke tejkaluar edhe rekordin e vitit të kaluar. Sipas saj, reshjet e shumta gjatë dimrit dhe pranverës favorizuan rritjen e bimësisë, e cila më pas u tha nga temperaturat e larta të verës, duke krijuar sasi të mëdha materiali të ndezshëm.
Ndërkohë, një zjarr i madh pranë një destinacioni turistik në jugperëndim të Turqisë detyroi autoritetet të mbyllnin përkohësisht autostradën që lidh Fethiyen me Antalian.
Zjarri shpërtheu në një zonë rurale të provincës Mugla dhe më pas u përhap në një sipërfaqe pyjore, duke rrezikuar zonat përreth.
Aktualisht, zjarre janë raportuar në disa vende europiane, përfshirë Italinë, Portugalinë, Francën dhe Spanjën, ndërsa situata më kritike vazhdon të mbetet në Francë dhe Spanjë.


