Këngëtarja e njohur nga Kosova, Fjolla Morina, është duke përdorur shtatzëninë për t’i shpëtuar burgut, teksa më 19 shtator u arrestua në pikën kufitare të Morinës duke ardhur për Shqipëri me dy armë, njëra prej të cilave çakmak dhe disa fishekë.
Edhe pse pika 3 e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale, saktëson se gratë shtatzëna që kanë kryer vepra penale që dënohen “jo më pak në maksimum se 10 vjet burg”, mund të qëndrojnë në arrest me burg, prokuroria e Kukësit, është duke e harruar këtë pikë. Ndaj Fjolla Morinës, vepra penale e referuar në prokurori nga Oficeri i Policisë Gjyqësore, është për “trafik të armëve dhe municioneve” që dënohet nga 10-20 vjet burg. Por edhe nëse akuza do të zbehet gjatë hetimeve në “armëmbajtje pa leje”, me ashpërsimin e Kodit Penal, dënimi shkon nga 7-15 vjet.
Nëse faktohet me prova gjinekologjike që Fjolla Morina është shtatzënë, prokuroria i ka hapur dyert e burgut, për një masë më të lehtë, atë të arrestit shtëpiak, ose edhe më keq akoma, të garancisë pasurore. Pra këngëtarja e shumëpaguar, vetëm pse është shtatzënë, mjafton të japë garanci 5 milionë lekë të rinj, dhe do të fitojë lirinë pa kurrfarë mase ndaj saj.
Prokuroria e Kukësit në këtë rast, të “arrestit shtëpiak”, i referohet pikës 2 të nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale që thuhet se nuk mund te vendoset masë arresti në burg ndaj grave shtatzëna ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç. Por vetëm pika 3 e të njëjtit nen e rrëzon këtë për vepra të rënda që dënohen deri në 10 vjet burg.



