Kreu i grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, i është “vërsulur” vrullshëm kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo gjë jo vetëm për përplasjet në distancë, apo akuzat drejtuar njëri-tjetrit nga dy palët, por për faktin se kreu i grupit Parlamentar të PS, Balla, ka kryer disa herë denoncime në Prokurori drejt Bashës.
Disa nga akuzat e bëra kanë qenë për shpërdorim detyre, kallëzim të rremë apo shpifje.
Cilat janë disa nga denoncimet e bëra nga Taulant Balla drejt Lulzim Bashës?
1- Rasti më i afërt është i datës 27 shtator 2018:
Taulant Balla dërgoi në Prokurori kallëzimin për kreun e PD, Lulzim Basha dhe ish oficerin Emiljano Nuhu. Bashën e akuzon për shpërdorim detyre dhe kallëzim të rremë, e përsa i përket ish oficerit, ai e denoncon për kallëzim të rremë gjithashtu.
Këtë gjë kreu i grupit Parlamentar të PS, e njoftoi edhe me anë të një postimi në rrjetin e tij social të “Facebook”, menjëherë pas dorëzimit të këtij denoncimi.
2- Denoncimi i kryer në datën 27 qershor 2018:
Taulant Balla bëri kallëzimin drejt kreut të PD, Lulzim Basha. Këtë herë kallëzimi ishte për “Nxjerrje të sekretit hetimor”. Në padinë e dorëzuar nga Balla, thotë se Basha këtë gjë e bëri qëllimisht.
Bëhet fjalë për rastin e lidhur me automjetin tip “Toyota Yaris” që u bllokua në portin e Durrësit, brenda të cilave u gjetën rreth 3.4 milionë euro.
3- Denoncimi i kryer në nëntor 2017:
Kreu i grupit parlamentar, Balla, akuzoi Lulzim Bashën për lidhjet me pagesat e dyshimta për një kompani lobimi në SHBA. Ai përpara denoncimit, e paralajmëroi përpara se do të kryente padinë, gjatë fjalës së tij në Parlament.
Akuza qe Balla dërgoi në drejtim të Lulzim Bashës, ishte për mashtrim me financat.
/AlpeNews.al




