Opozita po diskuton planin e aksionit kundër qeverisë pas protestës së të shtunës. Mesditën e sotme PD dhe LSI po diskutojnë me grupet respektive se cili do të jetë plani kundër qeverisë. Në mbledhjen e grupit të PD, deputeti Flamur Noka ka kërkuar që të bojkotohet parlamenti. “Hapi i vetëm që na mbetet është bojkoti. Ne duhet të shkëputemi nga ky parlament. Ramës ia dhamë kohën e duhur për Xhafën”.
Edhe deputetët e tjerë të PD, Balliu dhe Spahia kanë qenë në të njëjtin mendim me Nokën. “Qytetarët na kërkojnë të mos jemi në parlament, sepse aty bëhet teatër. Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me dy ministra të Brendshëm të lidhur me drogën. Ka ardhur koha që të marrim seriozisht në konsideratë opsionin e bojkotit të parlamentit”, u shpreh deputeti Bardh Spahia.
Opozita protestoi ditën e shtunë duke kërkuar largimin e Fatmir Xhafës nga posti i ministrit, pasi e akuzon se mbrojti vëllanë e dënuar në Itali.


