Udhëtimi i skuadrës së Skënderbeut nga stadiumi ku u krye stërvitja e fundit para ndeshjes me Partizanin e Beogradit dhe deri në hotel nuk ka kaluar pa incidente. Menjëherë sapo lojtarët kanë hipur në mjet, autobusi është përplasur me një bordurë. Nuk ka qenë një përplasje e madhe, por kaq ka mjaftuar që lojtarët të thonë “provokacija”.
Por, tersi duket se ka ndjekur korçarët edhe gjatë mbërritjes në hotel. Një makinë e parkuar keq në mes të rrugës ka penguar autobusin që të futet në parkingun e hotelit, çka bën që shoferi të inatoset keq.
Dhe e fundit, në momentin që delegacioni i klubit korçar ka mbërritur në hotel me fugonin e ndarë nga skuadra është prishur dera elektrike dhe ka qenë e pamundur që ata të cilët ishin brenda të dilnin aty, duke qëndruar për rreth 10 minuta në mjet, derisa është bërë e mundur hapja e derës.