Shkuan për vizitë në shtëpinë e vajzës, përplaset për vdekje çifti i të moshuarve. Dy viktimat janë identifikuar si Sami dhe Vjollca Shaholli, 70 dhe 63 vjeç, banues në fshatin Voskop të Korçës.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 17:30 në aksin kombëtar Korçë-Pogradec. Çifti humbi jetën pasi u përplas nga një makinë “Benz”, tip fuoristradë. Gjithçka ka ndodhur vetëm pak metra larg shtëpisë së dhëndrit të të moshuarve, ku kishin shkuar për të vizituar vajzën e tyre. Në momentin që Sami dhe Vjollca Shaholli dolën në rrugën kryesore për të kaluar nga një krah në tjetrin, u përplasën në afërsi të fshatit Pocestë.
Sipas të dhënave, ata kanë dalë nga një rrugë dytësore buzë rrugës nacionale, kur fuoristrada me targa AA 244 NE e drejtuar nga shtetasi Sotir Nikolla, 63 vjeç, i ka marrë përpara. Mësohet se çifti nga fshati Voskop ka tentuar të kalojë nga njëri krah i rrugës në tjetrin, kur është goditur nga mjeti, i cili lëvizte nga Korça në drejtim të Pogradecit.
Çifti është transportuar menjëherë në spital, ndërkohë që kanë ndërruar jetë sapo kanë mbërritur atje. Burime të Policisë thanë se dyshohet që drejtuesi i mjetit ka qenë tej normave të lejuara të shpejtësisë, por edhe errësira në rrugë ka ndikuar si shkak për aksidentin.
Drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, Sotir Nikolla, 63 vjeç, është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë deri në sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit tragjik që solli dy viktima.
“Më datë 04.12.2018, në orën 17:26, jemi njoftuar se në aksin rrugor Korçë-Maliq, në afërsi të fshatit Pocestë, shtetasi S.N., 63 vjeç, duke drejtuar mjetin tip ‘Benz’ ka aksidentuar 2 shtetas, (një burrë dhe një grua) kalimtarë në rrugë, të cilët janë transportuar në Spitalin e Korçës, ku edhe kanë ndërruar jetë. Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, bëhet me dije nga Policia.
Ky është aksidenti i dytë i rëndë që shënohet në Korçë brenda një harku të shkurtër kohor, me pasojë vdekjen e këmbësorëve. Më 8 nëntor, Sokol Haxhollari, 33 vjeç, dhe vajza e tij 6 vjeçe humbën jetën në një aksident të ndodhur në Unazën e qytetit të Korçës. Shkak u bë përplasja e dy automjeteve me njëra-tjetrën dhe më pas njëra prej tyre hipi mbi trotuar, duke u marrë jetën dy këmbësorëve.
Policia bëri shoqërimin e dy drejtuesve, Petrit Kupe dhe Laurenc Pallashi. Ndërsa vetëm pak ditë më parë, një tjetër aksident u regjistrua pak kilometra më tej në Urën e Maliqit, ku një i ri humbi jetën pasi ra në lumë.


