Kryeministri Edi Rama ka publikuar në adresën e tij në rrjetin social një homazh për disidenten e komunizmit Musine Kokalari.
Kreu i qeverisë, në mesazhin e tij shkruan se Musineja jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë për vendin.
Sipas Ramës, jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt, që Naimi, aq i dashur e themelor për të, e ktheu në imazhin ikonik të dhënies së gjithçkaje për të gjithë, si kusht për “të sjellë pakëz dritë”!
Postimi i plotë i Ramës:
HOMAZH
MUSINE KOKALARI, jetoi për t’u flijuar në emër të dashurisë. Jeta e saj i përngjan djegies së ngadaltë të qiririt, që Naimi, aq i dashur e themelor për të, e ktheu në imazhin ikonik të dhënies së gjithçkaje për të gjithë, si kusht për “të sjellë pakëz dritë”.
Drita që rrezatoi Musineja dhe idetë e saj, i ranë ndesh errësirës që ishte gllabërim e sipër atëmot të gjithkujt që ishte ndryshe, që ngjante ndryshe e që fliste ndryshe.
Vajza e bukur dhe që dha frymën e fundit kur ishte një grua e sfilitur në një pavion spitali pa histori, në Rrëshen, me 13 gusht 1983, la për historinë një ikonë me tre hipostaza: atë të vajzës së emancipuar dhe zonjë të fateve të veta, në dritën e rinisë; atë të gruas së përkushtuar ndaj përparimit të shoqërisë, me një vështrim largpamës drejt lirisë shoqërore, e njëkohësisht qasje kokëulur drejt më të dobëteve në shoqëri; atë të zonjës së lartë, kryengritëse e të papërkulur për të vërtetën e për drejtësinë edhe nën peshën e torturës dhe të kërcënimit prej asgjësimit fizik.
Pionere e social-demokracisë prej zjarrit që ndez dashuria për njerëzit pa dallim, plot hir në pamje e gjithaq talent në të shkruar, Musineja u bë delja e zezë e regjimit që tek bukuria femërore shihte një arsye për të dyshuar, e tek shpirti krijues një rrezik për t’u eliminuar.
Ajo grua e sakrifikuar në altarin e dashurisë për vendin, njerëzit e për lirinë e të menduarit sidomos, u tret si qiriri për të lënë pas një kujtim frymëzues për çdo vajzë e grua të këtij vendi, e një dëshmi sa të dhimbshme aq edhe madhështore të dinjitetit njerëzor në kohën e kolerës ideologjike.
#TëPAHARRUESHËM🙏