Tentativa e Prokurorisë shqiptare për të mbyllur çështjen “CEZ” ka marrë vëmendjen e mediave çeke.
Gazeta e dytë më e madhe në Çeki “Mlada fronta DNES” i ka kushtuar një artikull ditën e sotme përpjekjeve të organit të akuzës në Shqipëri për mbylljen e çështjes së kompanisë energjetike CEZ. Kjo dosje u hap me kërkesë të Kuvendit të Shqipërisë ku në listën e të kallëzuarve ishin edhe Sali Berisha dhe djali i tij Shkëlzeni. Dëmi i llogaritur është rreth 450 milionë euro, ndërsa zyrtarët e akuzuar për korrupsion apo mosveprim janë 17.
Ndërkohë, vlen për t’u theksuar se në shtetin çek hetimet për këtë çështje vazhdojnë në bazë të asaj çfarë Komisioni Parlamentar zbuloi lidhur me këtë aferë.
Ishte dje kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla që denoncoi tentativën e prokurorisë për mbylljen e dosjes hetimore pa kryer asnjë hetim dhe pa thirrur asnjë dëshmitar për këtë aferë korruptive./Tiranapost.al



