Ish-ministri Ilir Beqaj ka apeluar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg”, të vendosur ndaj tij nga GJKKO.
Beqaj ka kërkuar ndryshim mase, me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet për mbajtjen e tij në qeli. Në kërkesën tyre avokatët e Ilir Beqes pretendojnë se nuk ka rrezik që ish ministri i Shëndetësisë dhe ish kreu i SASPAC, që të largohet jashtë vendit apo të prishë provat.
“Nuk ekzistojnë kushtet për këtë masë”,argumenton mes të tjerash ish-ministri i Shëndetësisë.
Kujtojmë se Beqaj është nën hetim për abuzime me fondet e BE, në kohën kur ishte drejtor i përgjithshëm i SASPAK. Ai po ashtu është nën hetim për dosjen e Sterilizimit, ku akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion, gjatë kohës kur ishte ministër i Shëndetësisë.
Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, njoftoi të enjten se ka kërkuar dhe marrë miratimin e gjykatës për masë sigurie arrest me burg për Beqajn si dhe masa të tjera sigurie për bashkëpunëtorët e tij të dyshuar, ndërsa gjatë kontrolleve të kryera në zyra dhe biznese, u sekuestruan 47 mijë euro dhe 700 mijë lekë
“Personi nën hetim I. B. në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të SASPAC-ut duke vepruar si urdhërues në bashkëpunim me personin nën hetim E. K., i emëruar nga vetë personi nën hetim I. B. në datën 26.05.2022 si koordinator i zyrës ‘Facility Point’ për projektin EUSAIR, në SASPAC, përgjatë viteve 2022-2023 dyshohet se kanë kryer procedura prokurimi fiktive në kundërshtim me rregullat. Të paktën tetë shërbimet e prokuruara në kuadër të eventeve: ‘Mbi organizimin e Konferencës FESTA (E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri’, si dhe ‘Konferenca e Energjitikës’, organizuar në vitin 2023 nuk i janë nënshtruar një procedure prokurimi të rregullt, por fituesi është dakordësuar dhe përcaktuar shumë më para se të realizohet procedura e prokurimit, e cila është kryer në mënyrë fiktive më pas, për efekt dokumentacioni dhe pagese,” thuhet në njoftimin e SPAK.


