Abuzimi me pronat në bregdetin e Spillesë çon në pranga pesë zyrtarë të Bashkisë së Rrogozhinës, ndërsa shpallet në kërkim biznesmeni i njohur, Idlir Karkini për të cilin gjykata ka dhënë masën e arrestit me burg. Karkini ka privatizuar në shkelje me ligjin pronën e Ministrisë së Mbrojtjes në Spille (poligon qitje) dhe ka ndërtuar aty një biznes privat.
Idlir Karkini është një personazh i njohur pasi zotëron kontrollin e sistemit të radarëve detarë si dhe njihet si përfitues i shumë tenderave, ndër to për mbarëvajtjen e rrjetit të dixhitalizimit.
Si funksiononte skema e tjetërsimit të pronave në Spille
Pas një hetimi shumëmujor të Prokurorisë së Kavajës u mundësua identifikimi i disa shtetasve të dyshuar si përgjegjës për përfshirje në tjetërsimin e pronave në bregdetin e Spillesë në Kavajë. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë vazhdoi me fazën e dytë të hetimit, pjesë e procedimit penal të regjistruar më parë për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal në lidhje me ndërtimet në zonën e plazhit të Spillesë. Këtij procedimi penal i janë bashkuar edhe 4 procedime të tjera për të njejtin fakt penal.
Deri tani në këtë hetim të vazhduar janë përfshirë gjithsej në të dy fazat 23 persona, për tjetërsimin e pronave nëpërmjet krijimit të një mekanizmi të njëjtë, duke administruar AMTP të një periudhe mbi 15 vjet, në kundërshtim me ligjin, më pas duke proceduar me konfirmimet nga zyrat e Këshillit të Qarkut Tiranë, duke fshehur dhe zëvendësuar konfirmimet e qarkut me konfirmime që parashtrojnë rrethana të rreme, nëpërmjet falsifikimit të statusit të parcelave apo pasurive të veçanta, duke i bërë pjesë e praktikës (dosjes) të aplikuesve kanë arritur t’i regjistrojnë si pasuri personave të ndryshëm.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se këto pasuri janë regjistruar e më pas janë tjetërsuar nga persona të tjerë, nëpërmjet shitblerjeve në një periudhë tepër të shpejtë, në kundërshtim të hapur me ligjin. Gjithashtu janë kryer hetime dhe në lidhje me ndërtimet e 27 (njëzet e shtatë) lokaleve përgjatë vijës bregdetare, ku vetëm 4 (katër) persona (investitorë) rezultojnë të jenë banor të zonës, ndërsa të gjithë personat e tjerë janë qytetar të rretheve të tjera.
Ndërtimet e këtyre lokaleve rezultojnë vetëm mbi bazën e një aplikimi në Bashkinë Rrogozhinë, duke paraqitur vetëm një plan vendosje, kjo sipas preferencave të investitorëve, pa patur asnjë plan zhvillimor të Bashkisë Rrogozhinë. Së bashku me procedimin penal N.92 viti 2017 është vendosur bashkimi edhe i procedimit penal Nr.201 viti 2017. Nga ky procedim penal ka rezultuar se:
Nga ana e Komandës së Forcës Ajrore dhe nga ana e Komisariatit të Policisë Rrogozhinë është bërë kallëzim penal. Në pronën Poligoni i Qitjes Rreth-Greth me numër pasurie 368 është konsatuar prerje pyjesh dhe pastrim i barishteve nga një grup punëtorësh. Këta punëtor janë sjellë nga shtetasi Idlir Karkini, i cili ka çertifikatë pronësie për këtë sipërfaqe toke në pyllin dhe rërën buzë detit. Në kallëzim pretendohet se kjo tokë është pronë shtetërore në pronësi të aviacionit shqiptar. Ministria e Mbrojtjes ka aplikuar 3 herë për regjistrimin e pronës së saj nga viti 2005-2007 dhe nuk i është regjistruar kjo pronë, ndërsa në vitin 2016 kjo pronë regjistrohet në favor të Idlir Karkinit. Nga Këshilli qarkut Tiranë jemi informuar se shkresa Nr.2147 dt.28.12.2015 e Këshillit të Qarkut Tiranë drejtuar ZVRPP Kavajë, që ka shërbyer për ndryshimin e zërit kadastral nuk është përgatitur nga Institucioni i tyre dhe nuk është dërguar në ZVRPP Kavajë. Ndërsa shkresa Nr.5836 dt.18.11.2015 e ZVRPP Kavajë nuk është dërguar fare në Këshillin Qarkut Tiranë as dorazi dhe as me postë.


