Qeveria shqiptare ka miratuar dy Vendime të rëndësishme të Këshillit të Ministrave, gjatë mbledhjes së saj të fundit për këtë vit, sa i përket fëmijëve që vuajnë nga diabeti, si dhe pacientëve që detyrohen t’u nënshtrohen ndërhyrjeve për kataraktën e syrit, apo edhe të sëmurëve me tumore, të cilët trajtohen me radioterapi (akselerator linear).
Qeveria ka miratuar rimbursimin falas të fishave të diabetit, për të gjithë personat në moshën nga 0 në 18 vjeç që vuajnë nga kjo sëmundje. Tashmë, kostot e fishave të diabetit për këtë grupmoshë do të mbulohen tërësisht nga shteti.
Qeveria ka miratuar njëkohësisht edhe miratimin e dy paketave të reja shëndetësore falas, në spitalet publike dhe ata jopublike.
Paketat e reja përfshijnë
Paketat e reja të miratuara dje nga Këshilli i Ministrave përfshijnë Paketën e trajtimit të kataraktës, sipas shtojcës 6, bashkëlidhur VKM-së, si dhe Paketën e shërbimit të radioterapisë (me akselerator linear), sipas shtojcës 7, bashkëlidhur VKM-së. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor do të mundësojë edhe shërbimet e këtyre paketave të reja, si dhe mbulojë kostot e tyre.
Sipas ligjit nr. 10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, FSDSH ka ofruar deri më sot shërbimin dhe financimin e paketave të mëposhtme:
Paketa e shërbimit të dializës
Paketa e shërbimeve të kardiologjisë
Paketa e shërbimeve të kardiokirurgjisë
Paketa e shërbimit të transplantit të veshkës
Paketa e shërbimit të implantit koklear.
Këtyre paketave u shtohen edhe ato të miratuara në mbledhjen e fundit të vitit nga Këshilli i Ministrave. / Lexo.al


