Kryeparlamentarja e Kosovës Vjosa Osmani ka kallëzuar në polici një deputet të LDK-së të cilit nuk ja përmend emrin, por thotë se e ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale në Kuvend.
“Ndaj deputetit që më ka kërcënuar fizikisht dhe me gjuhë banale të paprecedent për një institucion si Kuvendi, kam hapur rast në polici. Shpresoj që organet e rendit të merren sa më shpejt me këtë rast, ndërkaq ne i kthehemi punës së Kuvendit të hënën në orën 14:00, sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit. Ka tema të rëndësishme me të cilat duhet të merremi, siç është menaxhimi i pandemisë dhe nuk lejoj asnjë person të papërgjegjshëm të më pengojë në kryerjen e detyrës zyrtare në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, shkruan Vjosa Osmani.
Kujtojmë se, kryeparlamentarja Osmani u përjashtua nga të gjitha postet që mbante në LDK pasi doli kundër Isa Mustafës, kryetar i prtisë. Ajo nuk votoi për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe as pro qeverisë së re me kryeministër Avdullah Hotin, nga partia e saj.