Kryeministri Edi Rama teksa inspektoi punimet në Thumanë premton që 26 nëntori i këtij viti do të jetë ndryshe për zonat e prekura nga tërmeti tragjik.
Rama tha se do të hapen shumë shkolla dhe se kantieri i infrastrukturës do të garantojë që banesat e reja të ngrihen mbi një sistem ujësjellësi, kanalizimesh, ndriçimi e rrjeti rrugor të standardeve më të larta.
“Unë dua t’i them të gjithë banorëve që janë në pritje të shtëpive që po punohet intensivisht. Proceset kanë qenë shumë të ngjeshura. Fatkeqësisht interferimi i epidemisë na vonoi pak, kryesisht për garat, pasi garat kanë qenë të hapura dhe kompanitë e kanë pasur të pamundur të marrin pjesë, sidomos kompanitë e huaja dhe kanë kërkuar shtyrje, gjë që na ka pezulluar dhe procese të tjera, por ajo që është e rëndësishme është që absolutisht në 26 nëntor, 1 vit nga tragjedia, gjërat do të jenë dukshëm ndryshe e në 26 nëntor do hapim dyert e shumë shkollave dhe do të hapim dyert e jo pak shtëpive edhe pse do të na duhet të vazhdojmë punën e të kompletojmë gjithçka vitin e ardhshëm”, u shpreh Rama.


