Doni të dini se përse u publikua aktakuza ndaj Hashim Thaçit një ditë më parë, çka dështoi takimin mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë?
Lexoni analizën e Çlirim Pekës, dhe do të ftilloheni.
Mund t’ju duket sikur po lexoni shpjegimet e përditshme që ai jep tek “Antena”, por jo këtë herë e ka tejkaluar Çlirim Pekës e “Antenës”. /TEMA
Ja një pjesë e shkrimit të tij:
“Pyetja shtrohet, pse zoti Grenell e sabotoi takimin e rëndësishëm të organizuar nga ai vetë? Përgjigja është e thjeshtë: e gjendur përballë një dështimi spektakolar në Shtëpinë e Bardhë, zoti Grenell dhe Shtëpia e Bardhë vendosen ta dështonin përpara se palët të udhëtonin, dhe fajtori duhej të ishte një faktor/arsye jo diplomatike/politike. Dhe u stis pamundësia e njërës palë për të udhëtuar dhe negociuar.
Po, si erdhi puna deri këtu?
Së pari, i gjendur nën presionin europian, vetë zoti Grenell ishte i paqartë për të definuar se çfarë do negociohej dhe çfarë do arrihej nga negociatat. Nga një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe finale, javën e fundit zoti Grenell u shpreh se marrëveshja do të ishte vetëm ekonomike dhe se po kërkohej modeli ekonomik kinez i zonës së lirë ekonomike të Shenzhenit, që prapë nuk kishte sens. Dhe se marrëveshja politike do të negociohej nga europianet. Që këtu, shpërtheu e gjithë tullumbacja e negociatave të drejtuara nga ShBA. Asnjëherë nuk kishte ndodhur që në një nismë të madhe ndërkombëtare, ShBA të merrnin rol dytësor.
Së dyti, kyçja e ShBA në negociata ishte një gabim sa taktik aq dhe diplomatik. Kur u ra dakord fillimisht që negociatat t’i udhëhiqte Bashkimi Europian, kishte një arsye të fortë, çështja Kosove-Serbi ishte pikë së pari një çështje e brendshme e Europës. Plus që përfshirja e ShBA si forcë e jashtme do të sillte automatikisht rusët në tavoline duke pamundësuar praktikisht një marrëveshje finale.
Së treti, ditën që u anulua takimi për shkak të akt-akuzës, Aleksandër Vuçiç ishte në Moskë duke u konsultuar me Vladimir Putin, vetëm pak ditë pasi Ministri i Jashtëm rus Lavrov ishte në Beograd.
Së katërti, megjithëse në sfond, si anëtar i Këshillit të Sigurimit të OKB dhe aleat i Serbisë, Kina ishte kyçur dhe po punonte fort diplomatikisht në krah të Serbisë.
Së pesti, Bashkimi Europian duke përdorur karotën dhe shkopin e anëtarësimit në BE kishte bërë presion të fortë në Prishtinë, Beograd, Uashington, Moskë dhe Pekin se negociatat ishin një çështje vetëm europiane. Dhe se çdo marrëveshje tjetërkund do të ishte e pavlefshme.
Së gjashti, gjithçka po bëhej me ngut dhe në garë me kohën. Gara ishte me datën 3 nëntor. Grenell donte një marrëveshje të negociuar nga ai. Vuçiç donte një marrëveshje para se Joe Biden si mik i shqiptarëve mund të futet në Shtëpinë e Bardhë. Thaçi donte një marrëveshje që do të negocionte amnistinë përpara se të merrej zyrtarisht i pandehur.
Sikur shkëmbimi i territoreve të mos ishte vënë në tavolinë, marrëveshja do të ishte nënshkruar që në 2019 në Shtëpinë e Bardhë dhe kjo histori do të ishte mbyllur.
Sot Kosova është kthyer ne një fushëbeteje të fuqishme diplomatike midis ShBA-ve, BE (Francës dhe Gjermanisë), Kinës dhe Rusisë, ku secila palë kërkon të mundë palën tjetër dhe të afirmojë aftësinë e saj gjeostrategjike. Në esencë nuk ka lidhje as me Kosovën dhe as me Serbinë, por me përplasjet midis fuqive të mëdha. Dhe ky është lajmi më i keq për Kosovën. E kemi dhuratë nga ngutja e Hashim Thaçit për amnisti…”


