Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje për koalicion qeverisës.
Këtë e ka konfirmuar para gazetarëve kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj, pas takimit me kryetarin e LDK-së Isa Mustafa.
“Arritëm marrëveshje për koalicionin qeverisës, pra për krijimin e qeverisë së re. Kosovën e presin plot sfida, e sfida e parë është gjendja me pandeminë, me të gjitha këto pasoja që ka shkaktuar, sidomos ekonomisë së vendit. Jemi të vetëdijshëm që nuk do të jetë e lehtë por kemi besim se ë gjitha këto sfida që e presin Kosovën do t’i kalojmë bashkë me punë”, tha Haradinaj.
Procedurat për formimin e qeverisë së re pasojnë iniciimin e mocionit të mosbesimit nga LDK-ja kundër qeverisë tashmë në detyrë të udhëhequr nga Albin Kurti.
Në mesin e arsyeve për ngritjen e mocionit janë përmendur marrëdhëniet që së fundmi ka Kosova me Shtetet e Bashkuara dhe shkarkimi i Agim Veliut nga pozita e Ministrit të Brendshëm.
Kurti në anën tjetër ka thënë se do ta sfidojë vendimin për formim të qeverisë së re nga LDK-ja në Gjykatën Kushtetuese.


