Thuajse nuk më rëndoi në ekonominë time kjo gjë. Që nga ajo ditë edhe deri më sot nisa të qep maska . Ditët e para angazhova vajzën dhe djalin tim, të cilët janë nën moshën 16 vjeç dhe nisa ti dhuroj së pari fqinjëve të mi. Ato trokisnin lehtë në dyert e tyre dhe i dhuronin nga dy maska. Kanë kaluar rreth tre javë që nga ajo ditë dhe unë tashmë vijoj të bëj të njëjtën gjë”, – tregon Ornela.
Ky akt humanitar i Ornelës, lindi natyrshëm, ndoshta kjo ishte e vetmja ndihmë që ajo mund të japë në këto ditë të vështira që po kalojmë edhe ne si komb.
“Më vjen me të vërtetë keq që tashmë nuk e di se edhe për sa kohë do të më duhet të qep vetëm maska. Kjo stinë pranvere një vit më parë ishte ndryshe. Atelieja ime gumëzhinte më së shumti nga të rinj, maturantë të cilët nisnin të më sillnin copat e tyre shumë ngjyrëshe për të qepur fustanet e maturës, madje kishte dhe klientë të shumtë që pronotonin për t’i qepur fustanet për dasmat e shumta të prenotuara për në verë”, thotë Ornela.
E teksa vijon të qepë maska më së shumti për njerëzit në nevojë, Ornela ndjehet optimiste.
“Ndjehem me të vërtetë mirë, kur mendoj që maska ime ka shpëtuar deri më tani shumë njerëz për të mos u prekur nga virusi”, shprehet ajo.





