Kryeministri Edi Rama deklaroi mesditën e së enjtes se ka vendosur të marrë një masë shtesë, duke ndaluar pagesën e qirasë për biznesin e vogël, që është aktualisht i mbyllur për shkak të pandemisë COVID-19 si dhe për familjet në vështirësi ekonomike.
“Me aktin normativ për masat e veçanta do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë, që kanë ndaluar punën për shkak të luftës”, deklaroi Rama.
“Qiradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qirasë përkatëse,” shtoi ai.
Por ndërsa kjo deklaratë sugjeronte “çlirimin” nga barra e qirave, në aktin normativ të publikuar në fletoren zyrtare, paragrafët e cituar nga Rama pothuajse verbatim, pasohen nga një paragraf tjetër, në të cilin thuhet se qiratë e papaguara nuk anulohen, por ato do të shlyhen më vonë, sipas një marrëveshjeje private që do të arrihej mes qiramarrësit dhe qiradhënësit.


