Edhe pse në prill, dëbora ka mbuluar një pjesë të madhe të vendit. Në zonën e Korçës, Krujës, apo dhe Shkodrës disa akse janë bllokuar, ndërsa trashësia e dëborës ka shkuar në 30 centimetër.
Prej dy ditësh i gjithë territori është përfshirë nga një mot i ftohtë me reshje shiu në disa zona dhe me dëborë në disa të tjera.
Reshjet e dendura të dëborës kanë bërë që tre fshatrat e njësisë administrative të komunës Cudhi në Krujë të izolohen.
Trashësia e dëborës është më shumë se 20 cm ndërsa në parkun e Qafshtamës arrin deri në 30 cm dhe për të shkuar atje duhet të vendosësh zinxhirë.
Temperaturat e ulëta dhe bora ka krijuar vështirësi në qarkullim edhe në akset kryesore.
Si pasojë e rreshqitjes një ditë më parë një automjet doli nga rruga në fshatin Sovjan të Maliqit.
Vështirësitë në qarkullim ka pasur në akset e Voskopojës, Dardhës dhe Qarri.
Në akset e Qafë Thanës, Kapshticë dhe Liqenasi janë të kalueshme dhe pa problem.
Vijimi i reshjeve edhe gjatë natës ka bërë që qyteti dhe gjithë juglindja të mbulohet nga dëbora.