Në një situatë tragjike ku humbja e jetëve kap shifra alarmante në Itali, ndodhin dhe mrekulli. Në një spital në Milano, që i është përkushtuar vetëm shtatzënave që janë të prekura nga koronavirusi, gjatë muajit të fundit kanë lindur 11 foshnja, në gjendje të mirë shëndetësore dhe të pa infektuar me COVID-19.
Përtej situatës emergjente në të gjithë Italinë, në këtë spital nuk shuhet shpresa, ku 11 foshnjat shihen si mrekullia e ndodhur në këto ditë të errëta që po kalon vendi.
Ato kanë lindur nga nëna të infektuara, por nuk e kanë marrë koronavirusin vetë, duke gëzuar një shëndet të plotë. Ky është një moment i vështirë për nënat, pasi ndodhen vetëm, pa përkrahjen dhe mbështetjen e askujt dhe në sallën e lindjes gjithçka shohin janë mjekët e maskuar nga koka te këmbët me veshje speciale.
Por medalia ka dy anë, pas mrekullisë së jetës, vjen dhe ana e errët e kësaj situate. Nënat nuk kanë mundur as t’u japin fëmijëve përfaqësimin e tyre të parë. Ato nuk mund të shohin fëmijët e tyre, s’mund t’i afrohen, t’i përkëdhelin apo t’i ushqejnë ato, për shkak se mund t’i infektojnë me COVID-19. As baballarët nuk janë lejuar t’u afrohen foshnjave.
Për sa kohë nënat do të jenë të infektuara, do të jenë të ndara nga foshnjat e tyre të porsalindura dhe këtë fakt me shumë mundësi e vuajnë më shumë se vetë infeksioni nga koronavirusi që kanë në trupin e tyre.