Teksa vijon të jetë në arrati, detaje të reja kanë dalë në dritë, në lidhje me autorin e vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e së martës në Kodër-Rrëshen të Mirditës.
47-vjeçari Fatmir Kolecaj, ka tentuar vetëvrasjen në kohen kur ishte i burgosur në Shënkoll të Lezhës. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 12 shtatorit të vitit 2017-të, teksa ai vuante dënimin për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Në njoftimin e policisë në atë kohë thuhej se në ambientet e brendshme të burgut, në dhomën e tij, Fatmir Kolecaj, është vetëplagosur me një send të mprehtë të prodhuar në mënyrë artizanale. Ai ka qenë lënduar në pjesë të ndryshme të trupit dhe është trajtuar në spitalin e Traumës në Tiranë. Këto veprime të Kolecajt kishin ardhur nën kushtet e rënduara psikologjike të cilat ishin rënduar pas arrestimit dhe burgosjes së tij. Për këtë, ai ka marrë mjekim në spital dhe më përmirësimin e gjendjes psikologjike të tij ai është rikthyer sërish në qelinë ku vuante dënimin.


