Udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, u dukën të kënaqur me diskutimet e së dielës mbrëma në Bruksel në një darkë pune me presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel. Në takim morën pjesë edhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviç, si kryesues i radhës së BE-së.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian thanë se është në interesin gjeostrategjik të BE-së afrimi sa më i madh i Ballkanit Perëndimor dhe paralajmëruan një plan investimesh që do të paraqitet në takimin e Këshillit të Ministrave në muajin mars.
Takimi u mbajt në një periudhë kur janë shtuar shpresat për fillimin negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pasi që të shtunën presidenti francez Emmanuel Macron tha gjatë Konferencës së Munihut se “duhet të shohim se çfarë thotë Komisioni, lidhur me përparimet e pritura nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut… nëse rezultatet janë pozitive dhe besimi vendoset, atëherë ne do mund të jemi në gjendje që ta hapim bisedimet”.


