Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për 28-vjeçarin Selman Aliaj, i cili vrau me çekiç babain e tij mbrëmjen e 22 dhjetorit, në oborrin e banesës së tyre në Shkozë. Organi i akuzës ka kërkuar që të riut t’i kryhet ekspertiza mjeko-ligjore, pasi në deklarimet që ka dhënë përpara grupit hetimor, Selmani ka shfaqur paqëndrueshmëri. Selman Aliaj mësohet të jetë marrë dy herë në pyetje nga ekspertët e krimeve në drejtorinë e policisë së Tiranës, por seancat janë ndërprerë për shkak të gjendjes së rëndë psikike të 28-vjeçarit.
Gjatë dëshmisë së dhënë më herët, i riu ka thënë se ishte konfliktuar me të atin për shkak se ky i fundit kishte vendosur ta martonte pa dëshirën e tij. “Me babanë zihesha shpesh, sepse më tallte më thoshte budalla. Nuk më pyeste për asgjë. Edhe dasmën vetë vendosi ta bënte se unë nuk doja. E godita me çfarë më kapi dora se ma solli në majë të hundës dhe kur nuk po reagonte më, e mbështolla me një qilim të vjetër dhe e hodha buzë liqenit”, – është shprehur Selman Aliaj përpara grupit hetimor. Ndërkohë në dëshminë e dytë i riu ka ndryshuar versionin përballë hetuesve.
Ndryshe nga sa kishte thënë në fillim, se babai kishte vendosur ta martonte pa dëshirë, ai deklaroi më pas se ishte grindur shpesh me të atin, për çështje të ndryshme. Sipas tij me të atin ishte konfliktuar edhe gjatë verës, pasi i kishte kërkuar para për të shkuar në emigrim, por kishte hasur në rezistencën e këtij të fundit. Gjithashtu, Selman Aliaj është shprehur i penduar për krimin e rëndë që ka kryer. Ndërkohë edhe pse viktima jetonte në Tiranë, ceremonia mortore e 74-vjeçarit Fejzi Aliaj u zhvillua në qytetin e Kukësit. Burime të policisë thanë se i biri, autori i dyshuar i vrasjes, ka kërkuar nga autoritetet që ta lejojnë të shkojë në ceremoninë e varrimit të të atit. Nga: Ina Alkanjari


