Një paciente dyshohet se është prekur me koronavirus në Kosovë. Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka pranuar se në Klinikën Infektive është shtruar një paciente, e cila mund të jetë e prekur ndërkohë që po kryhen të gjitha analizat e mundshme për të zbuluar të vërtetën.
Si fillim pacientja është paraqitur me smptoma të ngjashme me të gripit ndërsa më pas është dyshuar se ka koronavirus. Sipas mjekëve të QKUK’së, pacientja është shtetase e huaj, e cila punon në Kosovë.
Mediat në Kosovë bëjnë me dije se ajo kishte qëndruar në një qendër për ski, ku ka mësuar se disa persona ishin dyshuar se janë prekur nga koronavirusi. Sipas mjekëve, asaj i janë bërë analizat menjëherë, dhe rezultati i tyre do të bëhet i ditur pas mesnatës.
“Posa i morëm informatat e para, mostrat janë dërguar menjëherë në laborator. Sidoqoftë, për pacienten që është shtrirë, janë marrë të gjitha procedurat izoluese, nëse ajo del pozitiv me koronavirus. Në mesnatë dihet rezultati për pacienten”, kanë njoftuar mjeku Naser Ramadani.
Për rastin ka folur edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitija.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se një paciente shtetase e huaj po dyshohet për simptoma të koronavirusit, mirëpo kjo do të vërtetohet pas të del rezultati i analizave.
“Bëhet fjalë për një shtetase të huaj në Kosovë që ka qëndruar në një qendër skijimi me pesë të dyshuar të tjerë që dyshohet se janë infektuar me koronavirus”. tha ai.


