Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla, pas përfundimit të takimit me delegacionin e KiE, tha se u diskutua që presidenti Meta të dekretojë datën e zgjedhjeve për Shkodrën, Durrësin dhe Vorës pas përfundimit të emergjencës civile në dy bashkitë e fundit.
Në një deklaratë të shkurtër për mediat, Balla theksoi edhe njëherë se zgjedhjet e 30 qershorit ishin kushtetuese, ndërsa shtoi se zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme do të mbahen në qershor të vitit 2021.
“Pjesë e këtij diskutim ka qenë edhe fakti që Presidenti për tre bashki, për të cilat mandati i kryebashkiakëve ka mbaruar, Shkodër, Durrës e Vorë, bazuar dhe në parashikimet e Kushtetutës, të përcaktojë brenda kohës së mundshme, sa i përket Durrësit dhe Vorës jemi në kushtet e emergjencës civile, dhe sapo emergjenca të ketë përfunduar Presidenti të ketë dekretuar datën për zgjedhje.
Venecia ka dhënë përgjigje shteruese lidhur me kushtetueshmërinë e 30 qershorit. 30 qershori është një datë kushtetuese, zgjedhjet janë po aq kushtetuese dhe të gjitha organet e dalë prej tyre janë ligjore dhe vijojnë punën e tyre për një mandat 4-vjecar, që përfundon më 2023. Qytetarët e Shkodrës, Durrësit e Vorës sa më shpejt të jetë e mundur t’iu japim të drejtën që përmes votës të kenë kryebashkiakun. Kryebashkiakja e Shkodrës është përtej mandatit 4-vjeçar”, tha Balla.


