Kreu i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti, i cili është edhe fituesi i zgjedhjeve në Kosovë premton dialog me serbët e Kosovës që në javën e parë të formimit të qeverisë.
Në një intervistë me gazetarin Artur Zheji për emisionin “360 gradë” në RTV Ora, Kurti thotë se me Serbinë do të mund ta rifillojmë dialogun para zgjedhjeve në Serbi, por siç deklaroi ai, nuk mund të ketë marrëveshje historike shpejt e shpejt.
Albin Kurti: Ne kemi garuar me tezën anti-korrupsion, luftimit të krimit të organizuar, me gjallërimin e prokurorisë, me dekriminalizimin e prokurimit, me lidhjen e ekonomisë me arsimin.
Artur Zheji: E kemi një precedent në Shqipëri në 2013 me zotin Rama, identik antikorrupsion, 300 mijë vende pune, korrupsioni zero tani ka shkuar infinit. Unë uroj që të jetë e vërtetë…
Albin Kurti: Si LVV nuk mund të gjeni një opozitë tjetër. Si qeveria e VV nuk do të mund të gjeni një qeveri tjetër. Qysh në javën e parë do të fillojmë dialog me serbët e Kosovës. Me Serbinë do të mund ta rifillojmë dialogun para zgjedhjeve në Serbi, por nuk mund të ketë marrëveshje historike shpejt e shpejt. Ato 33 marrëveshje që i kemi tani me Serbinë duhet ti shqyrtojmë jo në kuptimin e opsesionit me të kaluarën, por të vlerësimit të gjendjes ku jemi për të nxjerrë mësimet nga e kaluara dhe të ecim të sigurt në të ardhmen.


